Vendosni fjalën kyçe....

Paraja e së ardhmes, Japonia lëshon kartëmonedha me portrete holograme


Japonia filloi të mërkurën të qarkullojë kartëmonedhat e para të reja në 20 vjet, me portrete tredimensionale të themeluesve të institucioneve arsimore financiare e femërore në një përpjekje për t’ua bërë më të vështirë punën falsifikuesve.

Kartëmonedhat përdorin modele të printuara për të prodhuar holograme të portreteve me drejtime të ndryshme, në varësi të këndit të shikimit, duke përdorur një teknologji që Byroja Kombëtare e Printimeve të Japonisë thotë se është e para në botë për paratë e letrës.

“Fytyrat e atyre që përfaqësojnë kapitalizmin japonez, fuqizimin e grave dhe inovacionin e teknologjisë janë në kartëmonedhat e reja”, tha kryeministri Fumio Kishida në një ceremoni.

Hapi vjen pikërisht kur ekonomia kalon në një fazë të drejtuar nga rritja për herë të parë në tre dekada, shtoi ai.

Megjithëse kartëmonedhat ekzistuese mbeten në përdorim, stacionet e trenit, parkingjet dhe dyqanet e ramenit po përpiqen të përmirësojnë makineritë e pagesave teksa qeveria i shtyn konsumatorët dhe bizneset të përdorin më pak para në përpjekjen e saj për të dixhitalizuar ekonominë.

Kartmonedha e re 10,000 jen (62 dollarë) përshkruan Eiichi Shibusawa (1840-1931), themeluesin e bankës dhe bursës së parë, i cili shpesh quhet “babai i kapitalizmit japonez”.

Ajo 5000 jen portretizon mësuesesn Umeko Tsuda (1864-1929), e cila themeloi një nga universitetet e para të grave në Japoni, ndërsa kartëmonedha prej 1000 jenësh paraqet një shkencëtar pionier mjekësor, Shibasaburo Kitasato (1853-1931).

Autoritetet planifikojnë të printojnë rreth 7.5 miliardë kartëmonedha të sapomodeluara deri në fund të vitit të tanishëm fiskal. Ato do t’i shtohen 18.5 miliardë kartëmonedhave me vlerë 125 trilionë jen tashmë në qarkullim që nga dhjetori 2023.

“Cash është një mjet i sigurt pagese që mund të përdoret nga kushdo, kudo dhe në çdo kohë, dhe do vijojë të luajë një rol të rëndësishëm pavarësisht alternativave”, tha Kazuo Ueda, guvernatori i Bankës së Japonisë.

Banka Qendrore ka kryer eksperimente mbi monedhat dixhitale, por qeveria nuk ka marrë asnjë vendim nëse do emetojë një jen dixhital.