Në ceremoninë private të varrimit të Ismail Kadaresë, në varrezat e Tufinës në Tiranë mbajtën fjalën dy vajzat e tij.
Besiana Kadare, në fjalën e saj në varreza, tha se e përfytyron që Kadare ‘është ngjitur si hyj në panteonin e gjenive të botës dhe na shikon’. Më tej ajo shtoi se një nga mënyrat më të mira për t’i bërë homazh është që të lexojmë të gjithë përsëri veprat e tij.
Besiana Kadare, vajza e Ismail Kadare: Të dashur miq faleminderit që keni ardhur sot. Jemi të gjithë shumë të prekur nga gjithë kjo dashuri, mesazhet e ngushëllimit, shumë ceremoni prekëse. Nuk do bëj ndonjë fjalim, e përfytyroj që thoshte një nga frazat e tij të preferuara ‘do na lësh rehat tani, nuk dua’. E përfytyroj është ngjitur, është si në një vorbull drite, e përfytyroj që është ngjitur si hyj në panteonin e gjenive të botës dhe na shikon. Një nga mënyrat për t’i bërë homazh është të lexojmë të gjithë përsëri veprat e tij. Faleminderit që keni ardhur sot.
Gjithashtu fjalën e mbajti edhe vajza tjetër e gjeniut të letrave shqipe, Gresa Kadare, e cila tha se Kadare ishte krejt i veçantë në të gjithë gjërat. Më tej ajo u shpreh se kurrë nuk është mërzitur me të apo me neglizhencat e saj qëkur ajo ishte fëmijë.
Gresa Kadare: Të dashur miq faleminderit për prezencën tuaj. Desha të them diçka të vogël. Ismaili ka qenë gjithnjë një baba ndryshe nga të gjithë etërit e shokëve e shoqeve të mia. Ishte krejt i veçantë si në gjithë gjërat e tjera dhe i bindej vetëm ligjeve të letërsisë. Kurrë nuk më ka mërzitur për neglizhencat e mia për punët e shtëpisë, e plotë e plotë të tjera, por nuk m’a kursente sarkazmat për autorët që unë lexoja. Nga ana tjetër entuziazmohej sa i gjeja ndonjë rrjesht përshembull nga përkthimi i Nolit, i Don Kishotit, që ishte i goditur. Këtë filozofi dora dorës ndoshta e kam adoptuar dhe vetë që nga fëmijëria.