Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti kinez Xi Jinping u takuan sot në kuadër të një forumi për sigurinë dhe mbrojtjen në Euroazi, që Moska dhe Pekini e shohin si një mjet për t’iu kundërvënë ndikimit të Perëndimit.
Presidenti Putin tha gjatë takimit se dy shtetet veprojnë në bazë të interesave të tyre, që ato nuk janë të drejtuara kundër ndonjë shteti tjetër.
“Bashkëpunimi ynë nuk është i orientuar kundër askujt. Ne nuk krijojmë blloqe apo aleanca, ne vetëm veprojmë në bazë të interesave të popujve tanë,” deklaroi zoti Putin në fillim të takimit dypalësh me Presidentin Xi.
Në komentet e tij Presidenti Xi theksoi se Kina dhe Rusia duhet “të ruajnë synimin origjinal për një miqësi brezash” përballë “një situate ndërkombëtare që ndryshon vazhdimisht”.
Takimi i Organizatës së Shanghait për Bashkëpunim po mbahet në Astana të Kazakistanit.
Përveç Rusisë dhe Kinës, ky forum i themeluar në vitin 2001 që përfshin edhe fuqitë kryesore të Azisë Qendrore, është zgjeruar për të përfshirë edhe Indinë, Iranin dhe Pakistanin, si përpjekje për të baraspeshuar Perëndimin.
Veç takimit me Presidentin kinez Xi, që është takimi i dytë në dy muajt e fundit, Presidenti rus Putin do të mbajë takime dypalëshe edhe me Presidentin turk Tajip Erdogan dhe udhëheqsit e Azerbaixhanit, Mongolisë dhe Pakistanit. Ai do të marrë pjesë edhe në një darkë jozyrtare të shtruar nga Presidenti i Kazakstanit, Kassym-Jomart Tokayev.
Kryeministri i Indisë Narendra Modi, i cili pritet të vizitojë Moskën gjatë këtij muaji, nuk do të marrë pjesë në takim. Ai ka dërguar atje ministrin e jashtëm, Subrahmanyam Jaishankar.
Rusia dhe Kina e konsiderojnë Organizatën e Shanghait për Bashkëpunim, të njohur me shkurtesën SCO, që synon qasje të përbashkëta ndaj kërcënimeve të jashtme për çështje të tilla si trafikimi i narkotikëve dhe që përqëndrohet tek kundërpërgjigjet ndaj destabilizimit të brendshëm, si mjet për të projektuar ndikimin e tyre në Azi.
“Udhëheqësit e shteteve anëtare të SCO-së do të diskutojnë mbi situatën aktuale, mundësitë për të thelluar bashkëpunimin shumëdimensional brenda organizatës dhe për të përmirësuar aktivitetet e organizatës”, thuhet në një njoftim të Kremlinit.
Në takimin e vitit të kaluar, grupi publikoi një deklaratë me tone kritike ndaj asaj që e quajti ndikim negativ të “zgjerimit të njëanshëm dhe të pakufishëm të sistemeve të mbrojtjes ajrore në botë nga shtete apo grupe shtetesh të caktuara”, pa iu referuar drejtpërdrejt zgjerimit të NATO-s dhe ndihmës ushtarake të Perëndimit Ukrainës.
Partneritet “pa kufizime”
Kina dhe Rusia shpallën partneritetin “pa kufizime” ndërmjet tyre në shkurt të vitit 2022, kur Presidenti rus Putin vizitoi Pekinin, vetëm disa ditë para se të fillonte sulmin ndaj Ukrainës. Që atëherë, zoti Xi dhe zoti Putin e kanë thelluar partneritetin e tyre.
Dy udhëheqësit besojnë se epoka e pas Luftës së Ftohtë, e dominuar nga Shtetet e Bashkuara, po shkon drejt fundit.
Shtetet e Bashkuara e cilësojnë Kinën si konkurrenten e tyre kryesore dhe Rusinë si shtet që përtaqet kërcënimin më të madh. Presidenti amerikan Joe Biden thotë se ky shekull do të përcaktohet nga gara ekzistenciale ndërmjet demokracive dhe autokracive.
Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë Presidentët Xi dhe Putin si sundues autoritarë, të cilët shtypin fjalën e lirë dhe ushtrojnë kontroll të ashpër në shtetet e tyre ndaj mediave dhe gjykatave. Zoti Biden i është referuar zotit Xi si “diktator” dhe ka thënë se zoti Putin është një “vrasës” dhe “i çmendur”. Pekini dhe Moska e kanë kritikuar Presidentin Biden për këto komente.
Sipas Kremlinit, Bjellorusia do të marrë pjesë për herë të parë në këtë takim si anëtare e plotë e organizatës.
Shtetet e tjera të përfshira në bisedime me këtë organizatë janë Bahreini, Kamboxhia, Egjipti, Kuvajti, Mianmari, Nepali, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres pritet të marrë pjesë në takimin e Astanës./VOA