Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka deklaruar se shëndetësia në vend është e plaçkitur dhe e mbytur nga korrupsioni.
Gjatë fjalës së tij në Tryezën e Shëndetësisë të organizuar nga Partia e Lirisë, Meta iu referua skandalit në Spitalin Onkologjik në Tiranë, duke theksuar se situata në shëndetësi është shumë e rëndë.
“Tryeza e sotme mblidhet në një moment tepër delikat sepse pas ngjarjeve tek Spitali Onkologjik, problemet e rënda të Shëndetësisë janë sot në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Shëndetësia tashmë është një aneks ose më mirë me thënë një apendiks, zgjatim apo një skutë qorre në Ministrinë e çështjeve sociale ku e kanë ngjeshur. E demotivuar dhe e përbuzur si asnjë herë në historinë e saj përfshirë edhe diktaturën, shëndetësia sot nuk ka më asnjë orientim as strategjik as ekzekutiv, as legjislativ dhe as fuqi t’i përgjigjet përditshmërisë. Premtim- mashtrimi shkatërrimtar i mjekësisë falas i Edi Ramës ishte vetëm krijimi i të gjitha kushteve për plaçkitjen e fondeve të shëndetësisë, korrupsionit të tmerrshëm dhe kaosit total që ka destrukturuar sistemin shëndetësor”, deklaroi Meta.