Liderët e Kinës, Rusisë, Turqisë, Pakistanit, të katër prej pesë ish-republikave sovjetike nga Azia Qendrore, si dhe liderë të tjerë shtetërorë, e vazhduan të enjten në Kazakistan samitin dyditor të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim (SCO).
SCO-ja është një grupim rajonal i promovuar nga Pekini dhe Moska si alternativë ndaj ndikimit të Perëndimit.
Liderët e nisën ditën e dytë dhe të fundit të samitit duke e pranuar Bjellorusinë si anëtare të re.
Ky vendim ishte i pritshëm dhe e avancon liderin autoritar Alyaksandr Lukashenko në rrugën e tij antiperëndimore, pas zgjedhjeve të kontestuara para katër vjetëve, të cilat nxitën protesta të papara rrugore dhe një luftë brutale ndaj tyre.
Lukashenko synoi anëtarësimin e Bjellorusinë në SCO për më shumë se një dekadë
Në tri vjetët e fundit, vendimet e tij për t’i “armatosur” emigrantët nga vendet e treta në kufirin e Bjellorusisë me fqinjët e saj nga Bashkimi Evropian dhe për t’i lejuar trupat ruse ta kryejnë pushtimin e plotë të Ukrainës nga territori bjellorus, e kanë larguar edhe më shumë Lukashenkan nga Perëndimi dhe e ka rritur varësinë e tij në Moskën.
Lukashenka e quajti “historik” anëtarësimin e Bjellorusisë në SCO. Ai theksoi nevojën “për ta shkatërruar botën njëpolare” dhe për ta marrë përsipër përgjegjësinë për “sigurinë globale”, sepse “Perëndimi narcisist dhe vetjak është dëshmuar i paaftë për këtë”.
Analistët kanë thënë se Lukashenka do të shpresojë se anëtarësimi në SCO do ta rrisë dhe zgjerojë bashkëpunimin shumë të nevojshëm tregtar dhe ekonomik të Bjellorusisë me Kinën, duke e ulur njëkohësisht varësinë e regjimit të tij në Moskën.
SCO-ja është organizatë politike, ekonomike, e mbrojtjes dhe sigurisë, e themeluar nga Kina dhe Rusia më 2001.