Në gazetën “Koha Jonë”, e enjte, 31 mars 1994, në faqet 5-6, është publikuar një intervistë e shkrimtarit Ismail Kadare, dhënë gazetarit Milaim Zeka për radion e Suedisë, Stokholm. Rikthimi në vëmendjen aktuale të kësaj interviste të 30 viteve më parë, si shfletim i arkivës, ka për qëllim vlerësimin që shkrimtari ynë i madh i ka bërë disa çështjeve që kanë qenë dhe mbeten aktuale edhe sot.
Kadare cek në bisedë, botimin e veprës së tij në Paris në dy gjuhë, në veçanti në shqip dhe rëndësinë që rrjedhon. “Dihet se monumenti më i madh që ka krijuar populli shqiptar gjatë shekujve është gjuha shqipe. Është një gjuhë madhështore dhe nga linguistët profesionistë quhet si njëra prej gjuhëve më të njohura të Evropës.” shprehet mes të tjerash Kadare.
Për t’u ndalur më pas tek roli që duhet të kenë (kishin) akademitë, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, për të mbrojtur dhe përfaqësuar interesat e kombit shqiptarë, në të komponentët e saj të përkatësisë identitare. Për të vijuar me politikën, e cila ka qenë dhe mbetet problemi i problemeve, jo vetëm duke u fokusuar vetëm te parehatia që konfliktualiteti i saj i krijon një shkrimtari, por e zgjeron fokusin, duke e akuzuar politikën së cilës i “… ka hypur qejfi i madh që të bëjnë sa më shumë grindje, sherre, dhe përçarje”. Kadare ndalon gjithashtu te zhgënjimi që ai ka patur me Ramiz Alinë, por edhe parapërgatitja që ai ka bërë çdo të papriture, duke çuar dorëshkrimin e veprës së tij editorit francez, i cili do ta promovonte dhe botonte, por edhe ta mbronte shkrimtarin nga përdorimi që regjimi mund t’i bënte atij si shërbëtor i komunizmit.
Me shumë interes në këtë intervistë është mënyra se si e ka trajtuar shkrimtari atw qw mund tw ishte e paprecedenttw nw diplomaci. Ambasadori i asokohshëm në Suedi ka atakuar personalisht Kadarenë, si vepër dhe si vlerë i letërsisë shqiptare, në takimet zyrtare që ai ka pasur me personalitete të ndryshme suedeze, duke minuar mundësinë e laurimit të shkrimtarit me çmimin Nobël. “Mund të ndodhë që për shijet e tija private, të mos e dojë, ose të mos e pëlqejë një shkrimtar, edhe të mos e lexojë kurrë. Por që në momentin që ky njeri përfaqëson vendin e vet, ai ka disa detyrime ndaj tij; morale, zyrtare dhe kombëtare. Këto nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra”, shprehet mes të tjerash për këtë çështje shkrimtari.
Sipas tij: “… fushata kundër meje për çmimin Nobël, ky ose është dashakeqes në përgjithësi i kulturës shqiptare… Nuk ka ambasador në botë që të shajë kulturën e kombit të tij”. Fatkeqësisht, ky zell për të luftuar me çdo mjet dhe formë, nderimin me Nobël të shkrimtarit tonë të madh, është ende i pranishëm edhe pas 30 vitesh, vite këto në pritje të Ismail Kadaresë për këtë meritim jo privilegj.
“Nuk ka ambasador në botë që të shajë kulturën e kombit të tij”
– Intervistë e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë gazetarit Milaim Zeka për radion e Suedisë Stokholm –
Gazetari Zeka: Çfarë bën Ismail Kadare brenda një dite në një qytet aq të madh siç është Parisi?
KADARE: Parisi është një qytet sa i këndshëm aq edhe i rrezikshëm për krijuesin. Kur them i rrezikshëm, mendoj atë se ai ka mundësi ta hutojë një krijues, të mos e lërë që të merret me punën e tij dhe të humbasë në atë jetën shumë të komplikuar që ka Parisi, me pritjet, me darkat, me takimet e shumta miqësore dhe zyrtare.
Për fat të mirë, unë kam vite që e njoh këtë qytet dhe ia kam mësuar si të thuash ato mekanizmat dhe nuk më pengon për të punuar. Unë jetoj dhe punoj normalisht në Paris si një njeri i kulturës.
Gazetari Zeka: A nuk është për t’u habitur se si një shkrimtar i një vendi të vogël, siç është Shqipëria, ka arritur të shpërthejë atë perden e hekurt të konkurrencës letrare në Francë, edhe njërën prej shtëpive më të mëdha botuese të këtij vendi e “ka mësuar të flasë edhe shqip”. Është ndoshta rasti i vetëm që një shkrimtar i huaj botohet në të dy gjuhët…
KADARE. – Është e vërtetë që botimi i veprave të mia ka filluar të botohet në të dy gjuhët. Natyrisht mua si autor më bëhet qejfi sepse ky është një sukses për kulturën shqiptare. Nuk them për t’u treguar modest, por ky është një nder i madh që i bëhet gjuhës shqipe dhe përmes kësaj gjithë kulturës shqiptare. Dihet se monumenti më i madh që ka krijuar populli shqiptar gjatë shekujve është gjuha shqipe.
Është një gjuhë madhështore dhe nga linguistët profesionistë quhet si njëra prej gjuhëve më të njohura të Evropës. Amatorët, ose gazetarët joprofesionistë mund edhe të mos e dinë këtë gjë, por unë do të thosha se në shkencën e mirëfilltë, linguistike gjuha shqipe ka një rëndësi më të madhe se edhe vetë Shqipëria. Kjo mund të duket si paradoksale, por unë e them këtë për të vërtetuar se çfarë peshe ka ajo në studimet shkencore. D.m.th. mund të ketë shkencëtarë që nuk kanë ndonjë interes të madh për Shqipërinë, por për gjuhën shqipe janë shumë të interesuar, sepse ajo është një dukuri shumë e pasur, një pasuri e tërë njerëzimit.
Prandaj, botimi i kësaj vepre në këtë gjuhë është një konfirmim i kësaj gjëje. Është një konfirmim se gjuha shqipe është një monument i madh kulturor i shqiptarëve.
Gazetari Zeka: Nga kontaktet tuaja të shumta, qoftë miqësore, qoftë zyrtare, sa përkrahet çështja e shqiptarëve në ish-Jugosllavi?
KADARE: Tashti duhet të flasim realisht që edhe të mos dëshpërohemi pa arsye, edhe të mos entuziazmohemi pa arsye. Nuk ka dyshim se kjo çështje, krahasuar me disa vite më përpara, është shumë më e njohur. Mirëpo, me atë që kjo çështje meriton ende nuk e ka arritur, Prandaj, ka mbetur shumë për të bërë që çështja shqiptare të zërë vendin që duhet të ketë në Evropë. Pra, duke mos mohuar në asnjë mënyrë atë që është bërë, ne nuk duhet të jemi euforikë. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që më shumë se gjysmën e popullsisë dhe tokave të saja i ka jashtë kufijve të saj. Asnjë vend tjetër nuk e ka këtë gjë. Kur Kina, një vend gjigand e ka mendjen të mos i lëshojë dy milionë tibetianë, pra një vend me 1,5 miliardë banorë, i ruan me xhelozi dy milionë tibetianë, ose Rusia, me sipërfaqe sa 1,6 e globit, nuk lejon të lëshojë asnjë pëllëmbë nga kthetrat e saj, atëherë kuptohet se sa të drejtë kanë shqiptarët ta ndjejnë veten të shqetësuar.
Prandaj duhet të jemi të ndërgjegjshëm që kjo padrejtësi duhet të rregullohet, por natyrisht kjo nuk bëhet as me aventura, as me gjaknxehtësi, por me mençuri, me kulturë dhe me diplomaci. Duhet të pranojmë se akademitë tona, e sidomos ajo në Shqipëri ishin shumë pasive dhe nuk kanë bërë asgjë për ta plasur të vërtetën për shqiptarët dhe Kosovën. Në anën tjetër serbët kanë punuar shumë dhe kanë përhapur mitet e tyre rreth çështjes shqiptare. Shkrimet serbe kanë zënë vend nëpër arkiva botërore, prandaj nuk është e lehtë për t’i rrëzuar ato. Këto janë mashtrime vulgare, jo të bëra nga shkencëtarë seriozë, por kryesisht nga gazetarë, nga mediokriteti. Por mos harroni se në kohën e sotshme, kur televizioni dhe mjetet e tjera të informacionit luajnë një rol shumë të rëndësishëm në përpunimin e opinionit, një mashtrim, apo dezinformatë që e përhap mediokriteti, është shumë më e fuqishme sesa një gënjeshtër që mund të shpërndajë një rreth shkencëtarësh.
Historia serioze e botës, enciklopeditë e ndryshme të botës, e shohin drejt çështjen shqiptare. Mirëpo, gazetarët e shumtë e paraqesin shtrembër këtë çështje, sepse ata më tepër shkruajnë ato që ju serviren dhe ato që i dëgjojnë nga të tjerët.
Gazetari Zeka: Në gazetari thuhet se ai që fiton luftën e propagandës, e ka fituar gjithë betejën.
KADARE: Pikërisht ashtu është!
Gazetari Zeka: E thatë më parë se duhet të jemi realistë në atë se a na përkrahin të tjerët, por edhe duhet të punojmë shumë në ndriçimin e çështjes shqiptare në përgjithësi. Ambasada serbe këtu në Stokholm, bashkë me ministrinë e informacionit në Beograd, edhe pse e njohin pozicionin tonë, çdo ditë na dërgojnë materiale në gjuhën serbe dhe angleze. Nga pala shqiptare, as ajo e Kosovës, as e Shqipërisë, nuk marrim asgjë. Ambasadori i Shqipërisë këtu në Suedi, shumicën kohës, sipas pohimeve të shumë njerëzve e kalon nëpër kampe, ose nëpër klube e shoqata. Para se të ndahej çmimi Nobël për literaturë, shumë gazetarë shkruanin se ju do ta merrnit këtë çmim. Mirëpo, si pas disa burimeve, ky ambasador ju ka atakuar juve personalisht në takimet zyrtare që ka pasur me personalitete të ndryshme suedeze. A keni dëgjuar diçka për këtë dhe, nëse kjo është e vërtetë çka mund të na thoni?
KADARE: Këtë fakt e kam dëgjuar. Ma kanë thënë edhe gazetarë, po edhe diplomatë suedezë, këtu në Paris. Unë jam habitur pak, por, pastaj duke menduar atë logjikën e shëmtuar që kanë disa shqiptarë për të sharë vendin e vet, thashë se nuk është shumë për t’u marrë në konsideratë.
Natyrisht që çdo njeri, duke përfshirë edhe një ambasador, mund të ndodhë që për shijet e tija private, të mos e dojë, ose të mos e pëlqejë një shkrimtar, edhe të mos e lexojë kurrë.
Por që në momentin që ky njeri përfaqëson vendin e vet, ai ka disa detyrime ndaj tij; morale, zyrtare dhe kombëtare, Këto nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra.
Një ambasador shqiptar, siç thoni ju, dhe kjo është krejt e vërtetë, sepse këtë e kam dëgjuar, ka bërë fushatë kundër meje për çmimin Nobël, ky ose është dashakeqes në përgjithësi i kulturës shqiptare, sepse unë këtë ambasador nuk e njoh privatisht, as si fytyrë nuk jam parë ndonjëherë me të, d.m.th. ky ka një prirje të keqe ndaj kulturës shqiptare. Pra ka një prirje, e këtu nuk dua ta ekzagjeroj rolin e një shkrimtari, por kur ai godet një shkrimtar të njohur i cili përfaqëson kombin, atëherë ky njeri ka një prirje antikombëtare. Mund të them ky është një gjest prej rrugaçi dhe për mendimin tim është turp që diplomacia shqiptare mban ambasadorë të tillë. Nuk ka ambasador në botë që merret me gjëra të tilla, të shajë kulturën e kombit të tij, të shajë një shkrimtar i cili është në finalen e fitimit të çmimit Nobël, të bëjë fushatë kundër tij. Kjo është vërtet e turpshme për Shqipërinë, ose për diplomacinë shqiptare sot.
Gazetari Zeka: Zoti Ismail, po i kthehemi përsëri letërsisë. Si arrin një shkrimtar në mërgim të shkruajë e të trajtojë tema nga vendi i tij?
KADARE: E vërteta është se unë nuk e ndjej veten të mërguar. E para se unë shkoj herë pas here në Shqipëri, pas tri javësh do të shkoj, dhe e dyta, se unë kam një informacion të dendur për Shqipërinë. Prandaj, nuk e ndjej veten fare të shkëputur. Pastaj vepra me të cilën tash po merrem është një vepër e konstruktuar. Unë nuk kërkoj motive të reja, por pak a shumë përpunoj ato që kam shkruar në Shqipëri.
Ndërrimi i ambientit nuk ka për mua ndonjë rëndësi.
Gazetari Zeka: A pajtoheni me mendimin se popujve të vegjël, siç është populli ynë i nevojiten ambasadorë të tillë të kulturës shqiptare nëpër kryeqendra të mëdha botërore?
KADARE: Absolutisht! Dhe pikërisht kjo është arsyeja që unë vazhdoj të qëndroj në Paris.
Gazetari Zeka: Mos ndoshta në Paris ndjeni atë qetësinë krijuese, që për shkrimtarin është më se e nevojshme?
KADARE: Në Shqipëri, për fat të keq, nga tensioni i madh që është, nga lufta partiake, ka shumë tension shoqëror të brendshëm, i cili të pengon të punosh…
Sa herë që shkoj në Tiranë, vijnë të gjithë, të cilët kërkojnë që unë të marr pjesë në klanet politike, kërkojnë që të marr pjesë në grindjet, i shoh miqtë e mi të përçarë, dhe kjo mua më dëshpëron shumë.
Kurse këtu kam njëfarë mënjanimi nga ai pasioni i përditshëm i politikës, e cila është e dëmshme për krijuesin. Politika është e dobishme për krijuesin në atë kuptimin e madh të fjalës, kur ajo është e dobishme për kombin, por jo grindjet që bëhen me ditë e me javë, që fillojnë në mëngjes e ndryshojnë pas dite.
Nga kjo pikëpamje, unë punoj më i qetë në Paris dhe jam i mendimit se personalitetet e kulturës janë të dobishëm si brenda ashtu edhe jashtë vendit të tyre, kur ata nuk e humbasin vizionin e tyre kombëtar global për vendin dhe që mund t’i shërbejë vendit të tyre kudo që ndodhen e sidomos në një metropol të madh, siç është Parisi.
Unë i shfrytëzoj të gjitha mundësitë që kam këtu për të përhapur kulturën shqiptare. Në shumë shtëpi botuese këtu në Francë kam arritur të botoj libra mbi Shqipërinë. Kam shkruar parathëniet e disa veprave letrare e librave që i përkasin kulturës sonë.
Pas dy javësh do të botohet një libër arkeologjik mbi Shqipërinë dhe shtëpia botuese kërkoi që unë të bëj parathënien e këtij libri.
Gazetari Zeka: Tash dëshiroj të flasim pak për zhgënjimet tuaja. Keni shkruar se ishe zhgënjyer shumë me Ramiz Alinë, prandaj edhe u detyrove të kërkojë azil në Francë, Por, zoti Ismail, proceset e tashme demokratike në Shqipëri a të kanë zhgënjyer…?
KADARE: Ajo që më ka zhgënjyer e mërzitur më së shumti janë disa ngjarje që u zhvilluan gjatë këtyre viteve. Ishte e pritur se disa prej tyre edhe do të ndodhnin.
Megjithatë, unë kisha një shpresë se Shqipëria do ta kalonte këtë periudhë të vështirë tranzicioni me një mirëkuptim më të madh. Për fat të keq, u krijua një acarim i papërligjur. Unë e quaj fatkeqësi që teza për bashkimin kombëtar u keqinterpretua, u shpërdorua dhe nuk u pranua nga shtresat e ndryshme të politikës shqiptare. Tash kam vënë re se dhe ata që e përkrahnin në fillim, tash nuk e duan këtë gjë. Bile, ju ka hypur qejfi i madh që të bëjnë sa më shumë grindje, sherre, dhe përçarje. Unë e quaj këtë humbjen e parë të madhe të periudhës demokratike. D.m.th. që nuk u arrit një pajtim për gjërat themelore. Nuk u arrit ajo pjekuri politike që në mund të kemi mendime të ndryshme, mund të kemi polemika, madje edhe të ashpra, por në çështjet themelore duhet të jemi bashkë.
Nuk duhet, siç thotë populli, që për inat të sime vjehrre të shkoj e të fle me mullixhiun. D.m.th. për inate personale të liderëve të partive politike, ose inate të partive, fillohet e bëhet një punë rrënuese, ku në Shqipëri, për fat të keq, është krijuar një përçarje e tmerrshme, ku unë disa herë jam përpjekur të ndihmoj përmes intervistave e mënyrave të tjera për t’i afruar njerëzit, por shoh se nuk është e lehtë.
Kam shpresë se populli shqiptar, me këtë eksperiencë të hidhur që po fiton këto kohët e fundit, do t’u bëjë presion partive politike që ato të merren vesh në mes tyre dhe të mos vazhdojnë me grindje të paprincipta. Këto e dëmtojnë shumë imazhin e Shqipërisë në botë.
Për mendimin tim, kryesorja është që Shqipëria sot duhet të jetë një shtet i stabilizuar dhe demokratik. Këto janë dy sukseset më të mëdha që duhet të arrihen. Mirëpo, kjo sigurisht nuk është e lehtë. Edhe vendet e tjera kanë të tilla probleme, mirëpo Shqipëria e ka pasur më lehtë, sepse është shtet homogjen. Nuk ka arsye themelore për një grindje kaq të madhe. Absolutisht nuk ka arsye themelore! Është vetëm një logjikë e orientimit partiak e cila fillon, dominon dhe errëson shikimin objektiv të njerëzve.
Gazetari Zeka: Para se të përfundojmë bisedën, a mund të na thoni se çfarë po shkruani momentalisht?
KADARE: Përveç atyre që përmenda më lart, unë diku nga vjeshta do të botoj një roman, të cilin e kisha shkruar në vitin 1986 dhe që e kisha depozituar këtu në Francë, që ai të botohej pas burgosjes, apo vdekjes sime ngaqë diktatura ishte ende e gjallë në Shqipëri. E kisha porositur editorin që libri të botohej nëse mua do të më ndodhte diçka. Këtë e bëja në mënyrë që shteti shqiptar komunist të mos mundohej të shfrytëzonte emrin tim nëse do të më ndodhte diçka.
Editori do të shkonte në bankë ku e kisha depozituar librin, do ta merrte atë dhe do të dilte me një deklaratë, ku do të thoshte se unë kam një vepër të Kadaresë, të cilën do ta botoj, në mënyrë që regjimi shqiptar të mos spekulonte me emrin tim, duke thënë se ai ishte një shkrimtar i madh komunist etj.
VINI RE: Intervistë e Milaim Zekës, e drejta e autorit “Pa Rrotlla”