Është vënë nën kontroll zjarri që përfshiu Qafën e LLogarasë ditën e djeshme.
Pas një pune të stërgjatë e tejet të lodhshme, forcat zjarrfikëse të ndihmuara edhe nga forcat e armatosura arritën të shuajnë flakët në vatrat e mëdha dhe tashmë po punojnë për fikjen e të gjitha vatrave më të vogla.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Zjarrfikës Arben Cara, zjarri ka qenë i qëllimshëm.
“Vatrat e zjarrit patjetër që kanë dorën e njeriut. Nuk do ketë asnjë lloj tolerimi. Zjarri do hetohet dhe Policia e Shtetit është duke gjurmuar autorët e zjarrvënies. Së shpejti do jenë para ligjit ku do marrin dënim të ashpër. Kodi Penal e ka përcaktuar që zjarrvënia është vepër penale e ne nuk do ndalemi bashkë me policinë që këto zjarrvënës të japin llogarinë për këtë katastrofë natyrore.”