Vendosni fjalën kyçe....

Eric Trump synon projekte të mëdha biznesi në Gjirin Persik, ndërkohë që i ati synon rikthimin në Shtëpinë e Bardhë


Klubi Ndërkombëtar i Golfit Trump në Dubai. “Ne patjetër do të bëjmë projekte të tjera në këtë rajon,” tha Eric Trump

Djali i Donald Trump, Eric, ka thënë se biznesi i pasurive të paluajtshme dhe ai i hotelerisë i familjes së tij dëshiron të arrijë më shumë marrëveshje në Lindjen e Mesme, duke ngritur shqetësime rreth konflikteve të mundshme të interesit nëse babai i tij fiton një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë.

Organizata Trump, e themeluar nga ish-presidenti dhe e mbikëqyrur nga djemtë e tij Donald Jr. dhe Eric, ka arritur marrëveshje me kompaninë e pasurive të paluajtshme të Arabisë Saudite të listuar në Londër, “Dar Global” për të nisur një resort luksoz në Gjirin e Omanit dhe për të zhvilluar një kullë Trump në Jeddah të Arabisë Saudite. Trump tashmë operon një fushë golfi në qendrën e shkëlqyer financiare të Lindjes së Mesme Dubai, me zhvilluesin lokal “Damac”.

“Ne patjetër do bëjmë projekte të tjera në këtë rajon”, tha Eric Trump për Financial Times në Dubai, përpara njoftimit të projektit në Jeddah.

“Ky rajon ka rritje shpërthyese dhe kjo nuk do ndalet së shpejti.”

Përpjekjet e fundit të biznesit të familjes Trump në Lindjen e Mesme, si dhe fondi mbrojtës i Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump, që ka mbledhur 2 miliardë dollarë nga Arabia Saudite, kanë siguruar ushqim për kritikët që thonë se ish-presidenti rrezikon të jetë nën ndikimin e huaj nëse ai kthehet në pushtet.

Omani dhe Arabia Saudite janë të dyja monarki absolute, të cilat kërkojnë miratimin e Shtëpisë së Bardhë për të blerë armë amerikane. Ato janë gjithashtu të dyja të rëndësishme për politikën e jashtme të SHBA-së në rajon: Omani është një bashkëbisedues vendimtar në negociatat me Iranin, ndërsa SHBA-ja po e shtyn Arabinë të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin.

Organizata Trump do menaxhojë, projektojë dhe ofrojë një markë të rëndësishme për kullën në Jeddah. Ajo do përfitojë tarifa për pronat rezidenciale të etiketuara nga Trump në resortin e Omanit, ndërsa menaxhon një hotel luksoz dhe fushë golfi sipas asaj që Eric Trump i quajti “kontrata shumë afatgjata menaxhimi” nga 25 deri në 30 vjet. Kjo do të thotë se familja Trump potencialisht do vijonte të përfitonte shumë kohë pasi Donald Trump të rizgjidhet.

I pyetur nëse marrëveshja e kompanisë së tij jashtë vendit kishte konflikte interesi, Eric Trump tha: “Unë nuk kam të bëj me qeveritë e huaja”, duke shtuar: “Unë jam një operator hoteli dhe jam në anën e operacioneve”. Unë nuk po zbres në një ndërtesë komunale lokale për të marrë një leje për një klub golfi.”

Eric Trump nuk do përjashtojë një pozicion në administratën e babait të tij nëse ai fiton zgjedhjet e nëntorit

“Pavarësisht, babai im nuk është në detyrë”, tha ai. “Kur ai të jetë në detyrë, ne do të marrim atë vendim nëse do largohemi apo jo”.

“Por tani për tani nuk është konflikt interesi,” këmbënguli ai, duke shtuar se biznesi familjar kishte marrë “një pushim të gjatë” gjatë mandatit të mëparshëm të babait të tij.

Megjithatë, Richard Painter, një profesor i shkollës juridike të Universitetit të Minesotës dhe ish-shefi i etikës në Shtëpinë e Bardhë nën Presidentin George Ë Bush, tha se ai kishte “shumë shqetësim” për kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që familja e tij ka marrëdhënie ekonomike në një situatë të ndjeshme në një rajon me implikime të mëdha gjeopolitike.

“Arabia Saudite nuk është një demokraci dhe është akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe një sërë çështjesh”, tha Painter.

“Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që një president amerikan të mos ketë interesat e veta financiare në atë rajon, ndërkohë që ata po marrin vendime shumë të vështira për Shtetet e Bashkuara.”

Demokratët e kanë kritikuar ish-presidentin mbi 7.8 milionë dollarë rezervime nga qeveritë e huaja, përfshirë Arabinë Saudite, në pronat e Trump gjatë kohës së tij në detyrë, para që Eric Trump tha se i ishin dhuruar Thesarit të SHBA-së.

Por marrëdhëniet më të gjera të biznesit të familjes Trump në Lindjen e Mesme kanë tërhequr gjithashtu vëmendjen dhe demokratët kanë kërkuar informacion rreth financimit për fondin mbrojtës të Kushner “Affinity Partners”, të cilin ai e hapi pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë. Fondi i Investimeve Publike, fondi i pasurisë sovrane saudit i kryesuar nga princi i kurorës Mohammed bin Salman, ka investuar 2 miliardë dollarë te Affinity.

Vizita e parë e huaj e Donald Trump në detyrë ishte në Riad dhe administrata e tij – veçanërisht përmes Kushnerit, i cili e këshilloi atë për Lindjen e Mesme – kishte një marrëdhënie të mirë me Princin Mohammed.

Ndërsa familja Trump këmbëngul se biznesi i tyre është i ndarë nga politika, vëllai i Eric-ut, Donald Jr., është një tërheqës me peshë në mbledhjet e fondeve për fushatën presidenciale të babait të tij dhe gruaja e Erikut, Lara, së fundmi është bërë bashkëkryetare e Komitetit Kombëtar Republikan. Eric Trump vlerësoi punën e gruas së tij, duke thënë se ajo kishte pushuar “rreth 70 për qind” të stafit të RNC në një ndryshim menaxherial.

Eric Trump nuk pranoi të përjashtonte një rol për veten e tij në Shtëpinë e Bardhë të Trump-it në të ardhmen.

“Unë kurrë nuk përjashtoj asgjë në jetë,” tha ai.

“Më pëlqen vërtet ana e pasurive të paluajtshme. Unë prirem të mos e pëlqej aq shumë anën politike. Unë mund të operoj shumë mirë në këtë fushë”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani