Shampanja ishte vënë në akull në selinë e Tubimit Kombëtar (RN) të së djathtës, por humori festiv u kthye shpejt në mosbesim kur rezultatet e para të parashikuara nga zgjedhjet parlamentare të së dielës u shfaqën në ekranet televizive.
Për ditë të tëra, Marine Le Pen kishte parashikuar me besim të plotë se partia e saj do triumfonte me një shumicë të plotë dhe i mbrojturi i saj Jordan Bardella do ishte kryeministër. Në vend të kësaj, Tubimi Kombëtar pritet të dalë i treti, pas një aleance të krahut të majtë dhe bllokut qendror të presidentit Emmanuel Macron.
E djathta u zhbë në një masë të madhe nga marrëveshjet taktike midis kundërshtarëve centristë dhe të majtë, të cilët tërhoqën më shumë se 200 kandidatë nga garat trepalëshe për të shmangur ndarjen e votave në dëm të RN.
Rezultati i parashikuar solli një ndalesë drithëruese në atë që dukej se ishte ngritja e pamëshirshme e së djathtës në Francë, e projektuar me kujdes nga Le Pen, e cila kishte kërkuar të pastronte përfytyrimin e partisë së saj dhe të cekte ankesat e votuesve të zemëruar mbi kostot e jetesës, shërbimet e tensionuara publike dhe emigracioni.
Fronti i Ri Popullor i majtë (NFP) doli si forca dominuese në Asamblenë Kombëtare pas zgjedhjeve të së dielës, por pa asnjë grup të vetëm që siguron një shumicë qeverisëse, mundësitë përfshijnë NFP në formimin e një qeverie të pakicës ose ndërtimin e një koalicioni të gjerë e të vështirë.
Rezultati i dha një goditje presidentit Emmanuel Macron dhe e lë në harresë ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës, duke paralajmëruar një periudhë paqëndrueshmërie politike vetëm disa javë përpara se Parisi të presë Lojërat Olimpike.
Macron përfundoi me një parlament të copëzuar, në atë që pritet të dobësojë rolin e Francës në Bashkimin Evropian dhe më gjerë dhe ta bëjë të vështirë për këdo që të shtyjë një agjendë të brendshme.
E majta fitoi 182 vende, aleanca centriste e Macron 168 dhe Tubimi Kombëtar i Le Pen (RN) dhe aleatët 143, treguan të dhënat e Ministrisë së Brendshme të cituara nga gazeta Le Monde.
Kryeministri Gabriel Attal tha se do të jepte dorëheqjen e tij të hënën, por nuk ishte e qartë nëse presidenti do e pranonte atë menjëherë, duke pasur parasysh detyrën e frikshme përpara për të formuar një qeveri. Attal tha se do ishte i gatshëm të qëndronte në një rol kujdestar.
Udhëheqësit nga partitë NFP u takuan brenda natës për bisedimet e para se si të ecej përpara, por në intervistat në media të hënën ata dhanë pak kuptim të drejtimit.
Tondelier tha në radio France Inter se kryeministri mund të jetë dikush nga partia e majtë e fortë France Unboëed, të Gjelbërit ose Socialistët, tre partitë më të mëdha në aleancë.
Olivier Faure, kreu socialist, tha në radion France Info se ai priste që partitë të binin dakord për një plan këtë javë, por anashkaloi një pyetje nëse NFP do ishte e përgatitur për të negociuar një marrëveshje me kampin qendror të Macron.
Le Pen dhe partia e saj kanë pësuar zhgënjim edhe më parë, më së fundmi në humbjen e saj në 2022 ndaj Macron në zgjedhjet presidenciale dhe kanë arritur të rikthehen më fuqishëm se më parë.
Por tani për tani, rezultati është një pilulë e hidhur për t’u gëlltitur.
“Rezultatet janë zhgënjyese dhe ato nuk përfaqësojnë atë që duan francezët,” tha Jocelyn Cousin, 18 vjeç, e cila kishte ardhur në selinë e partisë duke pritur festën e fitores.
Vrulli i RN-së ishte shfaqur i pandalshëm pasi mposhti centristët në zgjedhjet evropiane në fillim të qershorit dhe doli i pari, përpara Frontit të Ri Popullor të majtë të mbledhur me ngut, në raundin e parë të votimit parlamentar më 30 qershor.
Le Pen dhe Bardella ia atribuan pengesën e partisë së tyre të dielën, asaj që Bardella e quajti “aleancën e turpshme” të forcave anti-RN, të cilat ai tha se kishin karikaturuar partinë dhe nuk i respektonin votuesit e saj.
Por anketuesi i IPSOS Brice Teinturier vuri në dukje mangësitë e vetë RN-së, duke përfshirë zbulimet para balotazhit se disa nga kandidatët e saj kishin shprehur pikëpamje ksenofobike, duke ngritur pikëpyetje nëse partia kishte hequr dorë me të vërtetë nga e kaluarën e saj më helmuese.
“Ajo që ndodhi është gjithashtu se vetë kandidatët e RN treguan në këtë fushatë se ose nuk ishin gati ose kishin në radhët e tyre kandidatë antisemitë, ksenofobë ose homofobikë,” tha Teinturier për televizionin France 2.
Batica po rritet
Florent de Kersauson, një kandidat i RN në rajonin Brittany në Francën perëndimore, pranoi se pasojat kishin qenë të dëmshme. Por ai tha gjithashtu se votuesit mund të kenë ndjerë se partia ishte arrogante në parashikimin e një shumice absolute.
“Mendova se ishte e çuditshme që ata thanë këtë,” tha Kersauson, i cili humbi garën e tij kundër një kandidati pro Macron.
“Dukej si diçka që ishte shumë e vështirë për t’u arritur.”
Bardella dhe Le Pen u përpoqën të fshihnin zhgënjimin dhe pezamtimin pas rezultatit. Partia kishte rritur pjesën e saj të vendeve në Asamblenë Kombëtare në një rekord të lartë, vunë në dukje ata, duke u zotuar se do vijojnë të luftojnë derisa të fitojnë pushtetin.
“Batica po rritet, por nuk u ngrit mjaftueshëm këtë herë,” tha Le Pen, e cila ka të ngjarë të zhvillojë fushatën e saj të katërt presidenciale në 2027.
“Fitorja jonë thjesht është vonuar.”
Kjo ishte gjithashtu ndjenja e shumë prej mbështetësve të mbledhur në selinë e partisë në Paris.
“Unë shoh fitoren tonë që po vjen. Njerëzit do e kuptojnë se Tubimi Kombëtar nuk është aq i tmerrshëm. Besoj se do ndodhë në zgjedhjet e 2027-ës. Kam shumë shpresë dhe do vijoj të luftoj,” tha Elea da Cunha, 17 vjeç.
Frederic-Pierre Vos, një bashkëpunëtor i ngushtë i Le Pen dhe ish-avokat i partisë RN, i zgjedhur në një zonë elektorale në veri të Parisit, tha se parlamenti i dalë nga zgjedhjet do nënkuptonte një Francë të paqeverisshme, duke ofruar mundësi të reja për RN-në në 2027.
Megjithatë, pavarësisht nga bisedat e partisë, rezultati i së dielës ishte një pengesë e qartë.
Gazeta e biznesit Les Echos botoi një faqe të parë ku shfaqej një Bardella me fytyrë të zymtë me titullin “la claque” ose “shuplaka”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjan