Partia Socialiste ka ndërmarrë hapin e parë ligjor për votën e emigrantëve në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Këtë të hënë, socialistët paraqitën në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që ndryshon Kodin Zgjedhor. Bisedimet mes mazhorancës dhe opozitës nuk dhanë rezultate, duke çuar mazhorancën të paraqesë vetë propozimin për reflektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që legjitimon votën e diasporës.
Sipas projektligjit të PS, zgjedhësit jashtë vendit do të kenë të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, pasi të regjistrohen në listën e zgjedhësve jashtë vendit. KQZ duhet të fillojë hartimin e kësaj liste 100 ditë para zgjedhjeve dhe ta bëjë publike 50 ditë para zgjedhjeve. Zgjedhësit e diasporës që regjistrohen në listën e votuesve jashtë vendit, duhet të çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit.
Një ndryshim i rëndësishëm është edhe ai për herësin. PS propozon që herësi të mos jetë më i madh se 7 mijë vota, ndryshe nga herësi aktual që shkon mbi 14 mijë vota në disa qarqe.
Në lidhje me votën e diasporës, PS kërkon amendimin e nenit 24 të Kodit Zgjedhor për të mundësuar votimin nga jashtë vendit për zgjedhësit me vendbanim të përhershëm jashtë Shqipërisë. KQZ ngarkohet me përgjegjësi për të përgatitur kushtet dhe zbatimin e masave për votimin nga jashtë. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit do të numërohen në ambientet e KQZ-së dhe do të ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria.
Sipas nenit 25 të Kodit Zgjedhor të propozuar nga PS, lista e zgjedhësve jashtë vendit do të përmbajë shtetasit shqiptarë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile që kanë shprehur vullnetin për të votuar nga jashtë vendit.
PS ka propozuar gjithashtu ndryshimin e formulës për përcaktimin e herësit në ndarjen e mandateve brenda partisë/koalicionit, duke sugjeruar që herësi të mos jetë më i madh se 7 mijë vota.