Vendosni fjalën kyçe....

Vihen nën kontroll zjarret në Dropull dhe Finiq, rrezikohet riaktivizimi nga era


Ministria e Mbrojtjes njoftoi se situata e zjarrit në fshatin Grapsh të bashkisë Dropull dhe në fshatin Kardhikaq të bashkisë Finiq është përmirësuar, duke mos përbërë më rrezik për banorët dhe banesat.

Forcat operacionale të Dropullit, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Këlcyrës, Memaliajt, Finiqit, Sarandës, Himarës, Delvinës dhe Konispolit vazhdojnë punën për shuarjen e zjarrit, pasi ekziston ende rreziku i riaktivizimit për shkak të ndryshimit të shpejtësisë së erës.

Forcat e Armatosura dhe helikopteri Cougar vijojnë mbështetjen, ndërsa janë shtuar edhe tre mjete zjarrfikëse të FA. Situata po monitorohet nga afër edhe nga zv.ministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kërkoi ndihmë nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile dhe tre shtete ofruan mbështetjen e tyre. Pritet aktivizimi i dy avionëve PZL nga Greqia, vendi më afër vatrave të zjarrit.