Kur djali i personit më të pasur të Azisë Mukesh Ambani të martohet në Mumbai këtë javë, trafiku në një pjesë kyçe të qytetit do bllokohet për ekstravaganzën katërditore që do ndiqet nga të famshëm, elita e biznesit dhe politikanë.
Dasma e djalit më të vogël të miliarderit, Anant Ambani, 29 vjeç dhe të dashurës së tij prej shumë kohësh, Radhika Merchant, 29 vjeç, është kulmi i festimeve luksoze gjatë gjithë vitit dhe sipas policisë, është konsideruar si një “ngjarje publike” për shkak të pranisë së personave të rëndësishë ndërkombëtarë dhe atyre indianë.
Duke ngritur zemërimin e vendasve, rrugët pranë vendit të ngjarjes – Qendra e Konventës Botërore në pronësi të konglomeratit “Ambani’s Reliance” në rrethin qendror të biznesit të Mumbait – do jenë të hapura vetëm për “mjetet që marrin pjesë në festë” midis orës 13:00 dhe mesnatës në datat 12-15 korrik.
Dhe kjo pavarësisht se Mumbai është i njohur për trafikun e tij të ngjeshur, veçanërisht në këtë kohë të vitit gjatë sezonit të musoneve.
Trafiku tashmë është ngadalësuar rreth zonës së lokalit që është zbukuruar me drita dekorative dhe lule të kuqe. Ndërsa organizatorët nuk kanë dhënë shumë hollësi se kush do marrë pjesë, pritet të jetë një ngjarje e mbushur me yje.
Javën e kaluar, Justin Bieber sh shfaqje për qindra të ftuar në një koncert privat para dasmës. Ylli kanadez i popit bëri gjithashtu foto me nusen dhe dhëndrin që mbanin rroba të modës së lartë të veshjeve tradicionale indiane.
Në mars, Rihanna këndoi në festime të veçanta treditore para dasmës në shtetin perëndimor të Gujarat. Bill Gates dhe Mark Zuckerberg ishin në mesin e 1200 të ftuarve në atë festë. Dhe në maj, Ambanët organizuan një lundrim luksoz evropian para dasmës me 800 të ftuar, duke përfshirë yjet e Bollyëood-it dhe lojtarët e kriketit.
Videot dhe fotot e festimeve të fundit të anëtarëve të familjes Ambani kanë vërshuar mediat sociale dhe po mbulohen gjerësisht nga mediat indiane.
Dasma e së premtes do ketë rituale tradicionale hindu dhe pritja do mbahet për dy ditë. Të hënën, do ketë një “pritje speciale” për stafin e familjes Ambani, sipas një dokumenti që jep hollësi për planet.
Rajan Mehra, shefi ekzekutiv i Club One Air, tha se Ambanët kanë punësuar tre nga avionët Falcon-2000 të kompanisë së tij për të transportuar të ftuarit e dasmës dhe pret që 100 avionë privatë të përdoren për ngjarjet.
“Të ftuarit po vijnë nga të gjitha anët dhe çdo avion do bëjë udhëtime të shumta në të gjithë vendin,” tha ai.
Megjithatë për disa banorë të Mumbait, mediat sociale po gumëzhijnë me ankesa lidhur me trafikun dhe pengesat e tjera që pritet të ndodhin.