Vendosni fjalën kyçe....

Në PE nis iniciativa për t’i pezulluar Hungarisë të drejtën e votës


Në Parlamentin Evropian nisi një iniciativë për t’iu kërkuar organeve përgjegjëse të Bashkimit Evropian, që t’ia pezullojnë Hungarisë të drejtën e votës, për shkak të veprimeve të fundit të kryeministrit të këtij vendi, Viktor Orban.

Riho Terras, përfaqësues në PE nga grupi më i madh politik, Partia Popullore Evropiane, u dërgoi një letër të gjithë deputetëve evropianë, duke kërkuar mbështetjen e tyre.

Të njëjtën do t’ia dërgojë edhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

 “Presidenca hungareze sapo ka filluar dhe kryeministri Orban ka shkaktuar tashmë dëme të konsiderueshme, duke abuzuar me rolin e Presidencës së Këshillit. Në misionin e tij të ashtuquajtur paqeruajtës, ai qëllimisht ka krijuar përshtypjen se vepron në emër të të gjithë Bashkimit Evropian, ndërkohë që, në realitet, ai nuk ka asnjë autoritet ta përfaqësojë BE-në apo ndonjë shtet tjetër anëtar të BE-së, përveç të vetit”, thuhet në letrën që pa Radio Evropa e Lirë.

Shkak për këtë letër u bënë vizitat e Orbanit në Ukrainë, Rusi dhe Kinë, në ditët e para të këtij muaji.

Orban u takua edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë – veprim ky që u dënua nga të gjithë aktorët kryesorë të BE-së.

Hungaria mori presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian nga 1 korriku.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen – fotografi arkivi.

Sipas letrës së deputetëve evropianë, Orban po përpiqet t’i minojë vendimet ekzistuese të BE-së, procesin e vendimmarrjes dhe unitetin e BE-së për çështje të rëndësishme.

“Kjo nuk mund të lejohet të vazhdojë. Duhen hapa vendimtarë për t’i kufizuar dëmet e mëtejshme”, thuhet në letër.

 

Cila është fuqia e një letre nga Parlamenti Evropian

Procedurat dhe pezullimet e të drejtave të votës janë komplekse. Për to janë përgjegjëse shtetet anëtare.

Neni 7 i Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, në të cilin thirret letra, e lejon mundësinë e pezullimit të së drejtës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian (siç është e drejta për të votuar në Këshillin e Bashkimit Evropian), nëse një vend shkel seriozisht dhe në mënyrë të vazhdueshme parimet mbi të cilat bazohet BE-ja.

Elementet që do ta nxisnin zbatimin e këtij neni, përfshijnë: respektimin e dinjitetit njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e pjesëtarëve të pakicave.

Për ta vënë në zbatim nenin 7, me propozimin e një të tretës së shteteve anëtare të BE-së, ose Parlamentit Evropian, ose Komisionit Evropian, Këshilli – duke vepruar me një shumicë prej katër të pestave të anëtarëve të tij, pas marrjes së pëlqimit nga Parlamenti – mund të përcaktojë se ekziston rrezik i qartë i shkeljes së rëndë të këtyre parimeve bazë nga shteti anëtar dhe t’i nxjerrë rekomandimet e duhura.

Neni 354 i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian parashikon procedurat e votimit që duhet të ndiqen nga institucionet kryesore të BE-së, kur një shtet anëtar përballet me zbatimin e nenit 7.

Vendi në fjalë nuk merr pjesë në votim. Ai nuk përfshihet në llogaritjen e një të tretës së vendeve që kërkohen për propozimin, ose në të katër të pestat që kërkohen për një shumicë.

Për pëlqimin e Parlamentit kërkohet një shumicë prej dy të tretash.

Përfaqësuesit evropianë kanë afat deri më 12 korrik për ta nënshkruar këtë letër, e cila më pas do t’u përcillet udhëheqësve të institucioneve evropian./REL