Petro Gjikuria do të jetë kandidati i opozitës për Kryebashkiak të Himarës në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen më 4 gusht. Gjikuria jeton dhe drejton bizneset e tij në SHBA që prej vitit 1991, njihet edhe si aktivist për promovimin e kulturës greke në kontinentin e largët. Gjithashtu mësohet se ai është edhe sipërmarrës i madh në Dhërmi.
Kryesia e Partisë Socialiste ka zgjedhur si kandidat të tyre Vangjel Tavon për zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Himarës.
Biznesmeni shqiptaro-amerikan Petro Gjikuria do të garojë përballë Vangjel Tavos, kandidatit të propozuar nga Partia Socialiste.
Zgjedhjet në Bashkinë e Himarës janë të planifikuara për më 4 gusht, dhe sipas projektvendimit të KQZ, kandidatët do të kenë vetëm një javë kohë për të organizuar fushatën e tyre. Këto zgjedhje po mbahen pasi kryetari i zgjedhur më 14 maj 2023, Fredi Beleri, u dënua me vendim të formës së prerë me dy vite burg për korrupsion në zgjedhje. Beleri nuk arriti të marrë zyrtarisht detyrën e Kryebashkiakut, pasi nuk u lejua të betohej para Këshillit Bashkiak, ndërsa ishte në gjykim në GJKKO.