Vendosni fjalën kyçe....

Kitara e famshme e yllit irlandez të rokut del në ankand, pritet të kapë çmimin rekord


Kitara “Fender Stratocaster” e yllit irlandez të rokut dhe bluzit e vitit 1961, Rory Gallagher, e përshkruar si “Strat më e njohur në historinë e rock-ut” për shkak të pamjes së saj të konsumuar, do dalë në ankand më vonë këtë vit me një çmim të vlerësuar prej 1.28 milionë dollarësh.

Gallagher e bleu kitarën elektrike në vitin 1963 për 100 stërlina me kredi nga pronari i dyqanit muzikor “Croëley” në qytetin jugor irlandez të Cork dhe e luajti atë gjatë gjithë karrierës së tij.

 “I njohur për shfaqjet e tij elektrizuese live, kjo ishte kitara që ai përdori në skenë dhe në studio”, tha të mërkurën Claire Tole-Moir, kreu i departamentit të kulturës popullore të shtëpisë së ankandit “Bonhams”.

“Ekziston gjithashtu një legjendë që thotë se ky është i pari Fender Stratocaster që erdhi në Irlandë. Pra, është gjithashtu një kitarë e rëndësishme Fender si dhe një kitarë e rëndësishme Rory Gallagher,” shtoi ajo.

“Stratocaster”, që ka një vlerësim nga 700,000 deri në 1 milion stërlina, është loti kryesor për ankandin “The Rory Gallagher Collection”, që do mbahet më 17 tetor në Bonhams në Londër dhe përmban rreth 150 artikuj, duke përfshirë kitara të tjera, amplifikatorë dhe aksesorë.

Gallagher vdiq në vitin 1995, në moshën 47-vjeçare dhe sendet po ofrohen për shitje nga familja e tij.

“Stratocaster” i tij është paraqitur në ekspozita dhe është luajtur nga kitaristë të tjerë si Joe Bonamassa dhe Johnny Marr.

“Është konsideruar si Fender Stratocaster më e njohur në botë për shkak të pamjes së konsumuar jashtëzakonisht, por ka një pamje vërtet të veçantë dhe të gjithë e lidhin me Rory,” tha Tole-Moir.