Sali Berisha iu drejtua me një fjalim protestuesve të mbledhur përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa tha se gjendemi përballë një katastrofe ekzistenciale. Ai deklaroi se përveç hajdutëve dhe trafikantëve të Rilindjes, asnjë shqiptar nuk ka shpëtuar pa pasoja shpirtërore dhe mendore.
Berisha përmendi familjet që kanë humbur të dashurit e tyre për shkak të korrupsionit, kequshqyerjen e 47% të fëmijëve shqiptarë, dhe rënien e 15-vjeçarëve në fund të renditjeve botërore për mendimin krijues sipas PISA-s.
Ai foli edhe për pronat e grabitura, linçimin politik nga puna, dhe bizneset e falimentuara. Berisha theksoi se të rinjtë nuk mund të sigurojnë as një garsonier për të filluar jetën e tyre dhe se Shqipëria është boshatisur nga mbi 1 milion qytetarë në tetë vitet e fundit.
“Të mbledhur sot në Tiranë, nga të katër anët e vendit, nga të katër anët e dheut, diaspora dhe kudo që janë shqiptarët.
Plot dhimbje e sakrifica të pamerituara kanë qenë për opzitën dhe Shqipërinë 11 vitet e fundit të Rilindjes së Edi Ramës.
Asnjë shqiptar përveç hajdutëve dhe trafikantëve të Rilindjes, nuk ka shpëtuar pa marrë plagë në shpirt dhe mendje nga dekada e Edi Ramës, dekada e zbrazjes së Shqipërisë.
Këto plagë do mbeten përjetë shenja mbi ata që i pësuan.
Për shumë familje, kjo plagë ka qenë një familjar që sot do ishte gjallë nëse korrupsioni i Rilindjes nuk do kishte përlarë ilaçet e tyre.
Kjo plagë do dëmtojë shëndetin e 47 përqind të fëmijëve shqiparë që janë të kequshqyer, më keq se ata të Ruandës.
Kjo plagë do dëmtojë 15-vjeçarët që sipas PISA-s, kanë zbritur në fund të botës për mendimin e tyre krijues.
Kjo plagë ishte një pronë e grabitur, linçim politik nga puna, një fermë apo biznes i falimentuar, ku kishin investuar mundin dhe djersën e gjithë jetës së tyre.
Është ajo plagë që kanë të rinjtë, që me gjithë sakrificat e tyre, nuk mund të sigurojnë as edhe një garsionerë për të filluar jetën e tyre.
Kjo plagë është sa deti për Shqipërinë që sheh veten të boshatisur në 8 vite nga mbi 1 milion bij dhe bija të saj”, u shpreh per me teper Berisha.