Vendosni fjalën kyçe....

Esenca e protestës – Berisha akuzon Soros për instalim të mafies, opozita demonstron forcën


Në protestën e opozitës Sali Berisha akuzoi George Sorosin si autorin e instalimit të mafies në Shqipëri.

Ndërsa Edi Ramën, kreu i PD-së e cilësoi përfaqësues e mafies së Sorosit.

“Edi Rama përfaqëson mafien më të rrezikshme në botë, mafien Soros, e cila është instaluar plotësisht në Shqipëri”-deklaroi Berisha.

Mijëra persona të mbledhur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dëgjuan fjalimin e Berishës nga ekrani për shkak se kreu i PD-së qëndron në arrest shtëpie.

Në momentin e fjalimit të Berishës u hodhën molotv në drejtim të derës së Kryeministrisë e cila mori flakë.

Protesta e sotme është një demonstrim force e opozitës e cila një vit para zgjedhjeve vijon aksionet për të mbledhur mbështetësit e saj dhe treguar fuqinë e saj përballë qeverisë.

Protesta u zhvillua në ritme paqësore dhe dy mesazhet kryesore të opozitës ishin “lirimi i Berishës” dhe “qeveria teknike”.

Në protestë ishte edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili në fjalimin e tij përdori tone të ashpra ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.

Pas fjalimit të Berishës, protesta u zhvendos për te Bashkia e Tiranës, aty ku javë për javë zhvillohen protesta kundër kryebashkiakut Erion Veliaj.

Deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm opozita do vijojë aksionin e saj për të ngritur mbështetësit e saj dhe kundërshtuar qeverinë.