Pas një pune të pandërprerë, forcat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, kanë arritur të shuajnë zjarrin në bashkinë Dropull. Situata po monitorohet vazhdimisht për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi se në fshatin Kakodhiq, në bashkinë e Delvinës, po vazhdon aksioni me forcat e bashkisë, efektivët e Forcave të Armatosura, forca shtesë zjarrfikësish nga Berati, dhe dy avionë PZL nga Greqia, për shuarjen e flakëve. Gjithashtu, operacioni po vazhdon pranë liqeneve të Lurës në Dibër.
“Mirënjohje të gjithë efektivëve të angazhuar si dhe autoriteteve greke që po asistojnë me dy avionët tip PZL në shuarjen e flakëve në fshatin Kakodhiq!
Përsërisim thirrjen për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta, në mënyrë që të shmangen ngjarje që dëmtojnë mjedisin dhe pasurinë tonë të përbashkët”, thuhet në reagimin e ministrit të Mbrojtjes.