Vendosni fjalën kyçe....

Nga problematikat në sistemin e drejtësisë te inceneratorët, çfarë raportoi sot në Kuvend kreu i SPAK-ut


Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani ishte i pranishëm në Kuvend ku raportoji në lidhje me raportin vjetorë të vitit 2023 në sistemin e drejtësisë.

Në fillim të fjalës së tij ai rënditi disa nga problematikat e SPAK dhe BKH, ku fillimisht u ndal te mungesa e hetuesve në këto dy institucione.

Gjatë prezantimit të raportit Dumani shtoi se numri total i të paraburgosurve nga SPAK zë vetëm 8.5 përqind nga numri i përgjithshëm.

“Numri total i të paraburgosurve nga SPAK zë vetëm 8.5 përqind nga numri i përgjithshëm”, u shpreh Dumani.

Shqetësimet e ngritura kishin të bënin me:

-Mungesën e përcaktimit ligjor të statusin të prokurorit pas përfundimit të mandatit,

-Mungesën e këshilltarëve ligjor

-Adresimi i ngarkesës së shtuar sipas pikës 8 neni 178/ b të Kushtetutës ndaj drejtuesit të SPAK mbi çështjet e papërfunduara të vlerësimit të magjistratëve pas marrjes së kompetencave të komisionerëve publikë.

-Mungesën e referimeve nga insitucioneve publike

-Shtimin e hetuesve të BKH

-Numrin e konsiderueshëm të hetimeve të mbartura,

-Mungesën e kompetencave për shqyrtimin e kërkesave nga institucionet e huaja

-Mungesën e kompetencave vendore e gjykatave të posaçme për shqyrtimin e kërkesave në fazë hetimi për subjektet e posaçme”, u shpreh ai.

Gjatë fjaës së tij Altin Dumani u ndal dhe tek çështjet penale të regjistruara gjatë 2023.

Ai shtoi se, SPAK ka një strategji të menduar më së miri kundër pastrimit të parave.

“Korrupsioni është një problem, ndodh shpesh dhe në mënyrë të organizuar, duke vjedhur nga paratë publike. Nga 2021-2023, janë regjistruar 16 përqind më shumë çështje penale nga SPAK. Janë shumë çështje të transferura, ku prokurori ka hetuar e madje edhe ka zbardhur autorët e veprës penale, por ka raste kur vetë prokurori transferohet me punë. Masa “arrest me burg” është ulur me 3 përqind.

Janë rritur hetimet me metodën pro-aktive. Institucionet referojnë shumë pak raste korrupsioni në SPAK. Janë dënuar me vendim të formës së prerë 269 persona. SPAK, gjatë 2023, në kuadër të bashkëpunimit, ka nënshkruar 4 marrëveshje bashkëpunimi ndërkombëtar. Gjatë 2023, kemi shpallur në kërkim ndërkombëtar 72 persona. SPAK ka ndërtuar strategji kundër pastrimit të parave, duke sekuestruar paratë e krimit”, u shpreh Dumani.

Korrupsioni i funksionarëve publik

Dumani u ndal gjerësisht te korrupsioni i funksionarëve publikë, ku tha se në vitin 2023 janë evidentuar shumë raste të abuzimit me fondet publike.

Kreu i SPAK, tha se përdoren procedura që legalizojnë përvetësimin e fondeve publike, të cilat më pas kalojnë në përdorim të personave juridikë, të cilët ndryshojnë shpesh aksionerët dhe emrat tregtarë.

“Lidhur me veprën penale të korrupsionit, hetimet penale të vitit 2023 tregojnë se korrupsioni përfshin veprime në dukje të ligjshme por që kanë si qëllim përfitimin e paligjshëm.Përdoren procedura që legalizojnë përfitimin nga fondet publike duke maskuar natyrën kriminale. Kjo ndodh shpesh dhe në mënyrë të organizuar duke përfshirë përdorimin e personave juridikë të cilët përfitojnë fondet publike të cilët shpesh ndryshojnë aksionerët ose emra tregtarë”, tha Dumani.

Korrupsioni me pastrimin e parave

Sa i takon pastrimit të parave, kreu i SPAK tha se fenomeni është i përhapur kryesisht në Tiranë dhe zona turistike, ku paratë e paligjshme investohen në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.

“Parashtroj para jush disa të dhëna për sa i përket pastrimit të parave nga krimi i organizuar. Investime në prona të luajtshme dhe të paluajtshme, mbeten mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri. 

Veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë, por dhe zona turistike, si Vlora Durrësi dhe Lezha. Gjithahstu një numër i konsiderueshëm parash dyshohet se depozitohen në llogari bankare në emra shoqërish tregtare ose në emra të të afërmve të personave të dyshuara.

Kemi pasur dhe një rast ku organizatat e huaja kriminale kanë tentuar pastrimin e parave në Shqipëri përmes skemave të sofistikuara. Por skema është zbuluar dhe shuma e konsiderueshme e parave është sekuestruar”, tha Dumani.

Sakaq Dumani shtoi se “korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është evidentuar në Durrës, Shkodër, Tiranë, Laç dhe Fushë-Krujë”.

Ai tha gjithashtu se grupet kriminale shqiptare në mbarë botën janë sofistikuar dhe kanë marrë pozicion dominues edhe në tregtinë e kokainës.

“Lidhur me tipologjinë, hetimet e 2023 tregojnë se grupet kriminale janë sofistikuar në trafikun e drogërave të forta dhe duke pasur pozicion dominues edhe në trafikun e kokainës. Duhet cilësuar si shqetësim edhe veprimtaria e grupeve kriminale që operojnë përmes call centerave, duke mashtruar shtetasit e BE.

Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një situatë shqetësuese në qytete si Vlora, Fieri, Elbasni, Tirana, Durrësi, Gjirokastra, Shkodra, Kurbini dhe Fushë-Kruja. Në Tiranë dhe qytetet bregdetare grupet merren kryesisht me pastrimin e parave, ndërsa trafiku i narkotikëve është shfaqur problematik në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin.

Vrasjet dhe tentativat për vrasje janë më të shpeshta në Durrës, Fushë-Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Në Fushë-Krujë është e pranishme tregtia e armëve, lëndëve shpërthyese dhe makinave të vjedhura që përdoren në ngjarje kriminale”, tha Dumani.

Çështja “Xibraka”

Pas raportimit të përgjithshëm të raportit vjetor, kreu i SPAK u përball me disa pyetje të parashtruara nga deputetët në Parlament, në lidhje me disa nga çështjet më të rëndësishme që po hetohen nga sistemi i drejtësisë.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi i bëri disa pyetje për kreun e SPAK, Altin Dumani.

Bardhi tha se çfarë po bën SPAK për aferën e inceneratorëve. Po ashtu, Bardhi u shpreh se ka informacione se kryeministri i ka dërguar mesazh Dumanit, përmes një funksionari publik, që të mos e hetojë çështjen Xibraka.

Dumani deklaroi se nuk përcjell mesazh me askënd dhe se raportet e tij me kryeministrin Rama dhe Kuvendin janë vetëm institucionale e proceduriale.

“Çfarë ka bërë SPAK për skandalin e inceneratorëve? Incinerator nuk ka, pse nuk ka hetim? BE ka bllokuar fondet për bujqësinë, pasi janë vjedhur. A po hetohet për këtë çështje? Kryeministri ka ndërhyrë për çështjen Xibraka, përmes një funksionari. Cila ka qenë përgjigja juaj për kryeministrin?”, pyetja e paraqitur nga Gazment Bardhi.

“Çështjet e mbartura janë një problem për SPAK. Hetimi i çështjeve nuk është kaq i thjeshtë sa ç’thuhet. Krimet e zyrtarëve nuk janë të lehta, pasi është një “krim intelektual”. Edhe hetimet për grupet kriminale nuk janë të lehta. Çështja e inceneratorit është në hetim, është kompleks. 

Edhe çështja për menaxhimin e fondeve të IPART, po hetohet e nuk po jap më tepër detaje. Xibraka është në hetim. Marrëdhëniet e mia me kryeministrin dhe gjithë Kuvendin janë vetëm institucionale e proceduriale. Nuk marr e nuk përcjell asnjë mesazh”, u shpreh Dumani.

Hetimet për krimet zgjedhore

Dumani është pyetur gjithashtu edhe lidhur me hetimet mbi krimet zgjrdhore, pyetje këto të cilat u parashtruan nga deputetja e PD, Albana Vokshi.

Dumani tha se SPAK ka gati një strategji që pritet ta publikojë në janar të vitit 2025 për krimet zgjedhore.

Sa i takon çështjes McGonigal dhe pyetjes se përse Rama nuk është thirrur në SPAK, Dumani tha se është në hetim paraprak dhe i takon prokurorit të vlerësojë se kë dhe kur duhet të thërrasë në SPAK.

“Lidhur me krimin zgjedhor, janë hetuar 50 procedime penale. 17 persona janë hetuar për krim zgjedhor, 8 për gjykim, 6 kërkesa për pushim, 1 është pezulluar, 1 është bashkuar. 32 janë mbartur për vitin 2024. Tregues që kanë të bëjnë me efektivitetin e SPAK sa i takon krimit zgjedhor. 

Tregojnë se SPAK ka treguar kujdesin e duhur për hetimin e çështjeve të kësaj natyre. Në komisionin e ligjeve kam deklaruar që jemi drejt përfundimit të një strategjie sa i takon hetimit të krimit zgjedhor. 

Do bëhet publike në janar të 2025 dhe synimi është që në fillim të vitit 2024 ne të kemi krijuar instrumentet e nevojshme njerëzore por edhe mjetet teknike me qëllim hetimin e krimeve zgjedhore të mundshme gjatë vitit 2025”, u shpreh Dumani.

Gjithashtu Dumani shtoi se çështjet e përmendura më siper janë nën hetim dhe nuk mund të japë më shumë informacioneve.

“E kam vënë re që jeni aktive sa i takon kallëzimeve, por për çështje ku jeni kallëzuese drejtoju SPAK me kërkesë për marrje informacioni. Duke qenë se je kallëzuese japim informacionin e nevojshëm. Janë çështje në hetim dhe s’mund të flas”, u shpreh Dumani.

Hetimet për koncesionet në shëndetësi

Gjithashtu Dumani u pyet erdhe për 4 koncesionet në shëndetësi  ku u shpreh se një është nën hetim dhe një në gjykim.

“Një dihet që është për gjykim, një tjetër në hetim. Për informacionet drejtohu SPAK”, tha Dumani.

Hetimet për “Enrochat”

Ndër të tjera Dumani është pyetur dhe për sa i përket hetimeve në bisedat e Encrochat kupërfshihen ministra, deputetë, zyrtarë të drejtësisë.

Ai u shpreh se janë nën hetim dhe se SPAK është duke bashkëpunuar partnerë ndërkombëtar, si me agjencitë e europës, SHBA dhe Britanisë.

“Është çështje në hetim, s’mund të them asgjë. SPAK duhet të jetë krenar për bashkëpunimit me agjencitë e europës, SHBA, Britanisë, kemi bashkëpunim dhe këto çështje bëhen në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtar”, u shpreh Dumani.

Çështja “McGonigal”

Krahas çështjeve të lart përmendura, Dumani u pyet edhe për çështjet e “McGonigal”.

Dumani citoi se çështja është në hetim paraprak dhe në  vlerësimin e prokurorit se kë do thërrasë dhe kur do e thërrasë për të dëshmuar në lidhje me këtë çështje.

“Është në hetim paraprak, është në vlerësimin e prokurorit se kë do thërrasë dhe kur do e thërrasë. E vlerëson ai kush është momenti më i përshtatshëm për të kryer veprimin e hetimor”, u shtoi më tej Dumani.

Koncesioni i sterilizimit

Më tej Vokshi parashtroi një tjetër pyetje për Dumanin që kishte të bënte me koncesionet e sterilizimit, se përse nuk është bërë hetim për mënyrën e implementimin të koncesionit të sterilizimit.

“Depozitoni çdo gjetje që komisioni juaj parlamentar do vlerësojë se mund t’i shërbejë hetimit tonë, edhe në drejtim e të tjera. Çdo e dhënë është e mirëpritur sa kohë i shërben hetimit të gjithanshëm”, citoi Dumani.

Çështja e Inceneratorëve

Deputeti Flamur Noka i tha Dumanit nëse kryebashkiaku Veliaj ndodhet në hetim për inceneratorët. Dumani u shpreh se nuk mund të japë dot përgjigje, duke i sugjeruar që të bëjë kërkesë për informacion.

Flamur Noka: Ju po hetoni mega-aferën e inceneratorëve. Shqiptarët kanë parë se para drejtësisë janë disa specialistë të niveleve të larta. Për inceneratorin e Tiranës, a janë caktuar masa të reja? Kokat e aferave të gjithë i dinë, vetëm ju jo. A janë zbatuar masat dhe ku ka ceduar zbatimi i tyre? Operacioni i fundit u dekonspirua. 

A po hetoni? A po hetohet Erion Veliaj? A ka hetime për familjarët e Veliajt? A jeni në dijeni të transfertave nga jashtë të 6 milionë euro, me emrin e vëllait të Veliajt? A mendoni se Veliaj si kryebashkiak dëmton hetimet për inceneratorët, 5D apo implikimin e vëllait të tij në afera? 

A po hetohen kompanitë në Qipro dhe shtete të tjera? Pse nuk sekuestrohet sera dhe toka në Sharrë, që kanë të bëjnë me inceneratorin e Tiranës? A po hetohet një kompani për shkelje kontrate për respiratorët? Solli 5 respiratorë dhe jo mbi 50, që duhet të sillte.

Altin Dumani: Jeni kallëzues, bëj kërkesë për informacion dhe si kallëzues e do të merrni të gjitha informacionet. Lidhur me inceneratorin e Tiranës, është çështje në hetim paraprak dhe për të cilën po kryhen hetimet e nevojshme. SPAK po heton inceneratorët. Hetimi është kompleks. Duam të bëjmë hetim objektiv.

A do të ketë hapje të zyrave të SPAK nëpër rrethe?

Altin Dumani u pyet nga deputetët në Kuvend edhe  në lidhje me prezencën e SPAK në qytetet më problematike. Dumani tha se pas plotësimit të numrit të nevojshëm, do të procedohet më pas edhe me hapjen e zyrave të SPAK.

Deputeti i PS, Denis Deliu: Prezenca e SPAK dhe hetuesve të BKH është e nevojshme për qytete problematike. Kur mendoni se mund të hapni zyra në qytete

Dumani: Për dikë 4 vjet mund të duken shumë për një institucion të ri është shumë pak është një periudhë e shkurtër. Institucioni ka nevojë të krijohet në organikë. Mund të themi se SPAK sot është funksional. 

Jemi përpjekur të ushtrojmë detyrimet tona ligjore dhe kushtetuese, mund të vijë momenti dhe ligji e parashikon mund të hapen zyra edhe në rrethe. Besoj pasi të kalojë koha dhe të kemi numrin e nevojshëm, do të procedohet edhe me hapjen zyrave të SPAK në rrethe.