Vendosni fjalën kyçe....

Videoja e pashfaqur, Shërbimi Sekret e policia në kaos dhe të hutuar pas atentatit ndaj Donald Trumpit


Një video tronditëse e kapur me celular tregon kaosin në tubimin e Donald Trumpit në Butler, Pensilvani të shtunën pasi Thomas Matthew Crooks hapi zjarr duke plagosur ish-presidentin, duke vrarë një spektator dhe duke plagosur rëndë dy të tjerë.

Videoja tregon spektatorët që kërkojnë ndihmë te autoritetet pasi pushojnë të shtënat.

“Ne kemi dikë të plagosur,” dëgjohet një burrë duke bërtitur ndërsa tund krahët. “Hej!”

Kamera shkon drejt skenës, ndërsa Trump ringrihet në këmbë, i rrethuar nga agjentë të Shërbimit Sekret dhe ngre grushtin lart.

Todd, një veteran i ushtrisë që filmoi videon dhe kërkoi të identifikohej vetëm si Todd the Driller, tha se fillimisht kishte menduar të merrte djalin në tubim, por ishte i shqetësuar se turma mund të ishte shumë e zhurmshme.

Ai tha se u lehtësua kur i biri 9-vjeçar nuk donte të shkonte kështu që u nis i vetëm.


Todd mbërriti herët dhe foli me fëmijët e tij në FaceTime dhe pasi u bleu dy kapele MAGA mori rrugën drejt vendit ku do mbahej tubimi.

Takimi nisi me vonë nga sa ishte parashikuar, tha ai, por në kohën kur Trump mbërriti, ai kishte një pikë të mirë të favorshme për të parë gjithçka pranë gardhit verior.

Ai kishte bërë fotografi dhe video për t’ia dërguar të birit, por kur shpërthyen të shtënat, telefoni i tij ishte në xhep dhe ai po dëgjonte komentet e Trump.

“Nuk e kisha idenë se isha në vijën e zjarrit mes gjuajtësit dhe Presidentit Trump, por kur dëgjova kërcitjen e parë, e dija se çfarë ishte”, tha ai.

“Ishte direkt pas meje dhe plumbat kaluan rreth 20 metra në të majtën time.”

Todd, i cili nuk është një demokrat apo një konservator, tha se ai është një votues për  të cilin kanë rëndësi dy çështje. Ai është pro jetës dhe, si një shpues nafte, ai favorizon ligjvënësit që mbështesin industrinë që i jep mundësinë të nxjerrë të ardhura për familjen.

Snajperët e neutralizuan kërcënimin, por jo përpara se Crooks, 20 vjeç, të vriste një 50-vjeçar, baba i dy fëmijëve, i quajtur Corey Comperatore dhe të plagoste rëndë David Dutch, 57 vjeç dhe James Copenhaver, 74, sipas autoriteteve.

Todd nxori telefonin e tij dhe regjistroi presidentin duke u ngritur përsëri në këmbë, i rrethuar nga agjentë të Shërbimit Sekret.

Por kur u kthye për të parë se çfarë po ndodhte pas tij, ajo që pa e tronditi. Agjentët e Shërbimit Sekret dhe policia lokale brenda perimetrit të sigurt nuk mund të dilnin pa kërcyer një gardh, para se një efektiv të hapte një derë duke u treguar nga ku mund të kalonin.


“Agjentët dhe policët ishin krejt të hutuar aq sa nuk mund të bënin punën e tyre sepse askush nuk kishte largpamësi të mjaftueshme për ta hapur atë portë dhe për të vendosur një roje atje dhe për të kontrolluar hyrjen në të,” tha ai.

Për fat të mirë, një snajper i Shërbimit Sekret neutralizoi personin e armatosur përpara se agjentët e tjerë dhe oficerët e zbatimit të ligjit ta arrinin atë në çati.

Megjithatë, mungesa e sigurisë ka nxitur kritika të gjera për përgatitjet dhe masat e sigurisë gjatë takimit të fushatës së një kandidati presidencial.

Drejtoresha e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, Kimberly Cheatle pranoi se Crooks ishte quajtur një “person i mundshëm i dyshimtë” përpara atentatit.

Në një intervistë me ABC News të martën, ajo tha se Shërbimi Sekret ishte në dijeni të dobësive të sigurisë të paraqitura nga ndërtesa ku Crooks u ngjit me një snajper për të synuar Trumpin. Megjithatë, u mor një vendim që të mos vendosej asnjë personel sigurie në çati, tha ajo. 

“Ajo ndërtesë në veçanti ka një çati të pjerrët në pikën e saj më të lartë. Kështu që ekzistonte një faktor sigurie që  e konsideruam  dhe nuk vendosëm që të dërgonim dikë në atë çati të pjerët. Më pas morëm vendimin për të siguruar godinën nga brenda”, tha ajo.

Edhe pse ai ishte vetëm disa hapa nga një prej viktimave, Todd i shpëtoi lëndimit.

“Nuk duhej të isha atje atë ditë por ky ishte plani i Zotit për mua për disa arsye,” tha ai.

“Nuk e kisha idenë se po hyja në histori kur shkova të merrja një kapelë për fëmijët e mi”.

sKur gjërat u qetësuan, Todi u largua dhe shkoi të takonte familjen e tij.

“Unë u dhashë fëmijëve të mi kapelet,” tha ai.

“Dhe mora një lapustil dhe me të shkrova brenda faturës me shkronja të vogla “7/13/24, me dashuri nga babi, u dhashë një përqafim të madh dhe një puthje.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Fox

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani