Vendosni fjalën kyçe....

Kur paratë harxhohen veç për gomerët


Nga Auron Tare

Kaloj shpesh përgjatë Vjosës. Më pëlqen ky peisazh ndoshta unik ndër viset tona. E njoh mirë këtë zonë, njerëzit e saj dhe historinë pasi e kam shkelur për vite fshat më fshat. 

Diku 6 muaj më parë vura re se ndajë lumit ishin bërë disa shesh pushimesh me nga një kioske Alpine ne mes. Ndalova dhe i pashë. Dukshëm ishin harxhuar fonde dhe më pëlqeu që Lugina do kishte disa pika orientuese për natyrën dhe historinë.  

Vjosa e meriton besoj unë, ‘Lumi i egër në Evropë’, Park, Di Caprio, shoqata që luftojnë për mbrojtje e saj. Plan Manaxhimi, Plan afat gjate,  afat shkurtër, përfshirja e komuniteteve, të ndihmojmë turizmin, e ‘Duam shumë Shqipërinë’ e plot parrulla si këto që gumëzhijnë në rrjetet sociale. 

Shesh pushimet dhe kioskat Alpine janë bërë me merak. Fondi i Zhvillimit dhe Banka Botërore kanë vendosur logot e tyre për të na thënë neve kalimtarëve se kanë treguar seriozitet për Luginën.  Tabelat informuese janë plot me kordinata dhe përpos ndonjë informacioni historik për klasën e dytë fillore nuk shikon asgjë tjeter. 

Nejse mendova se brenda në kioskat e hekurit do kishte më shumë material për këtë luginë  dëshmitare e betejave që nga antikiteti i hershëm e deri në Luftën Italo -Greke. 

Në Mars kur i pashë kioskat Alpine të quajtura aq këndshëm  Info Point i imagjinova se gjatë verës do ishin plot me vizitorë të cilëve do tiu shërbehej nga djemë dhe vajza të zonës, veshur bukur të lëçitur me historinë që ska fund në këtë Luginë. 

Nderkohë unë vazhdojë kaloj shpesh anës Vjosës, njëherë të pi një kafe tek Beni, një herë të qethem në Këlcyrë tek një djali i ri i cili mezi pret të ikë nga ky vend. 

Një herë të pi një raki tek një barange e vogël tek i vetmi këpucar xha Polua, që ka mbetur dhe ende bën opinga. Një herë të blej Gin shqiptar tek vozaxhiu duar artë Hiqmet, i cili bën raki nga çdo lloj fruti, një herë të marrë mjaltë tek bletët e Zybos në Kala. Një herë tek Bujtina e Mirës në Peshtan për tu krenuar me turizmin që ajo bën në këtë Luginë. Një herë në Leuse tek Gili e deri më tutje në Leskovik tek bletët e Eleonores  që kullosin livadheve të Greqisë dhe natën kthehen në Shqiperi. 

E nderkohë  që unë iki lart e poshtë nëpër Luginë, Kioskat Alpine buzë Vjosës mbeten të heshtura. Të mbyllura. Të braktisura. Të vetmit vizitorë që duken, janë tufat e gomerëve të fshatrave përqark që nga vapa mundohen të struken nën çatitë Alpine të Info Pointeve te ndërtuara me paratë e Bankës Boterorë. 

Po sikur ato para ti jepeshin Mirës në Peshtan për Bujtinën e saj? Këpucarit që të ruajë traditën? Apo vozaxhiut dhe rakibërësit Hiqmet? Apo djemve të plakut Zybo që dikur mjaltin e tyre e çonin deri në Francë?  

Po sikur nje pjesëzë e vogël e Fondit të Kioskes ti jepej berberit të ri që të hapte një biznes dhe të mos e braktiste vendin? Apo të ndihmoheshin bletët e Eleonorës për tu bërë një mundësi për turizmin e zonës?  

Po sikur lekët e Kioskave të ishin përdorur për të restauruar Sarajet historike të Familjes Feudale të Këlcyrajve?  

Fatkeqësisht për të gjithë këta njerëz të Luginës nuk mendon kush. Fondet janë veç për Gomerët.

May be an image of covered bridge and text

 

May be an image of mountain and road

May be an image of text