Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni për Dezinformimin/ Braçe: Strategji kombëtare për ndalimin e ndërhyrjeve të huaja


Komisioni i Posaçëm i Dezinformimit zhvilloi sot mbledhjen e radhës, e cila u bojkotua sërish nga deputetët e opozitës. Në mbledhjen e sotme mazhoranca ka miratuara metodologjinë dhe objektivat e këtij komisioni, ku fokusin kryesor do e këtë në përmirësimin e kuadrit ligjor për të mos lejuar ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike dhe zgjedhore.

Kryetari i Komisionit, Erion Braçe tha se pas grumbullimit të të dhënave në mënyrë shkresore, por dhe me seanca dëgjimore do të krijohet një strategji kombëtare me rekomandime dhe ndërhyrje në legjislacion, për të parandaluar ndërhyrjet e huaja  e keqdashëse në proceset demokratike, ekonomike, mediat dhe zgjedhjet në vend.

“Metodologjia do të kalojë përmes grumbullimit të të dhënave dhe burimeve zyrtare e të hapura për secilën nga çështjet që janë në objektivat e punës së këtij komisioni. Të dhënat do të jenë në mënyrë shkresore dhe të hapur dhe me seanca dëgjimore. 

Më pas do të kalojmë në analizë të këtyre dhënave dhe më pas do shkojmë në krijimin e një strategjie kombëtare në adresimin e këtyre fenomeneve, në ndërhyrjet e huaja dhe keqdashëse në proceset demokratike, ekonomi dhe media dhe në fund do i adresohemi kuvendit me gjetjen dhe rekomandimet tona për ndërhyrjet në legjislacion apo akte të tjera që do rregullojnë këtë fushë. 

Objektivi është rishikimi i kuadrit ligjor për ndalimin e ndërhyrjes së huaj  në proceset demokratike dhe ato zgjedhore”, tha Braçe.

Komisioni kundër dezinformimit u ngrit me votat e mazhorancës më 11 prill në Kuvend dhe ka një afat 1 vjeçar.

Në thelb të Komisionit të posaçëm për Dezinformimin është identifikimi i influencave të huaja që ndikojnë në demokracinë e vendit përmes mediumeve të ndryshme që janë mediat tradicionale dhe rrjetet sociale.