Vendosni fjalën kyçe....

Kosovë, komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së: Kërcënimi nga Serbia mbetet i lartë


Përfaqësues të Komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë së Zbulimit në parlamentin e Kosovës, thanë të mërkurën se kërcënimi nga Serbia dhe organizatave që strehohen dhe trajnohen në Serbi për tensionim të situatës së sigurisë në Kosovë vlerësohet të jetë i lartë.

Këto deklarata u bënë pas takimit që përfaqësues të këtij komisioni patën me shefin e Agjencisë për Intelegjencë të Kosovës, Petrit Ajeti.

“Situata në katër komunat në veri është e qëndrueshme dhe pse ndërhyrjet dhe përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme. Kërcënimi nga Serbia dhe organizata paramilitare dhe terroriste anëtarë të të cilave po strehohen dhe trajnohen në Serbi vlerësohet si shumë i lartë. Bazuar në të dhënat inteligjente grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaonikut dhe të Kralevës”, tha Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit.

Me 24 shtator të vitit të kaluar një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë. Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur.

Zonja Musliu tha se grupi udhëhequr nga Milan Radoiçiç vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete të mjaftueshme financiare dhe mbështetje nga Beogradi zyrtar.

“Në vazhdimësi janë duke planifikuar, diskutuar mundësitë për sulme. Udhëheqësi i grupit Milan Radoiçiç vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë me zyrtar të lartë shtetërorë si dhe është duke mbajtur kontakte me disa grupe organizata radikale dhe kriminale me shtrirje rajonale”, tha zonja Musliu.

Forcat paqerujatëse të NATO-s në Kosovë nuk ju përgjigjen interesimit të Zërit të Amerikës për të komentuar pohimet e institucioneve të Kosovës.

Por përgjatë punimeve të takimit të lartë të NATO-s javën e kaluar në Uashington, një zyrtar i lartë i aleancës tha se forcat paqeruajtëse janë të shqetësuara për situatën e sigurisë dhe mundësitë e përkeqësimit të saj”, ndërsa u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbië të angazhohen në dialog për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

Pas sulmit në Banjskë diplomatët perëndimorë u vunë në përpjekje të reja për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon

Nga Qeveria e Kosovës kërkohet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Qeverisë së Serbisë të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.

Dy takimet e fundit në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe në nivel kryenegociatorësh të të dyja palëve që synonin zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes, përfunduan pa ndonjë rezultat.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë pritet që deri të enjten t’u dërgojnë ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Bashkimi Evropian pret që mbi komentet e palëve të hartojë një propozim të ri mbi këtë proces./VOA