Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i Senatit dhe ish-shefja e Kongresit presion Bidenit për t’u tërhequr


Demokratët e rëndësishëm, duke përfshirë udhëheqësin demokrat të Senatit të SHBA, Chuck Schumer dhe ish-kryetaren e Kongresit, Nancy Pelosi, kanë rritur presionin ndaj Presidentit Joe Biden për t’u tërhequr nga fushata e tij për rizgjedhje për shkak të shqetësimeve se ai nuk mund ta mundë kundërshtarin republikan Donald Trump, raportojnë mediat amerikane.

Schumer i tha Bidenit në një takim të shtunën se do ishte më mirë për vendin dhe Partinë Demokratike nëse ai tërhiqet nga fushata e rizgjedhjes, raportoi ABC News.

Udhëheqësi demokrat i Kongresit, Hakeem Jeffries ka shprehur pikëpamje të ngjashme drejtpërdrejt me Biden, raportoi ABC Neës, duke cituar një burim të njohur me bisedën.

CNN raportoi të mërkurën se Pelosi, gjithashtu, i ka thënë Bidenit se sondazhet tregojnë se ai nuk mund ta mposhtë Trumpin dhe se presidenti mund të shkatërrojë mundësitë e demokratëve për të rifituar kontrollin e Kongresit.

Pelosi foli me Biden në një telefonatë të ditëve të fundit, raportoi CNN, duke cituar katër burime të informuara për thirrjen. Asnjë nga burimet nuk tregoi nëse Pelosi i tha Bidenit se duhet të largohej nga gara, tha CNN.

Sipas një burimi të CNN, Biden u përgjigj duke i thënë Pelosit se ka parë sondazhe që tregojnë se ai mund të fitojë.

Një zëdhënës i Pelosit i tha CNN se Pelosi nuk ka folur me Biden që nga e premtja.

Më herët të mërkurën, kongresmeni demokrat Adam Schiff u bë demokrati i 20-të i Kongresit që i bëri thirrje publikisht Bidenit që të tërhiqej nga gara.

Zyra e Schumer iu përgjigj raportit në lidhje me takimin e tij me presidentin me një deklaratë duke e quajtur atë “spekulim të kotë” dhe tha se Schumer “i përcolli pikëpamjet e grupit të tij drejtpërdrejt Presidentit Biden të shtunën”.

Zyra e Jeffries nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment nga Reuters.

Biden ka hedhur poshtë vijimësisht thirrjet e demokratëve për të hequr dorë nga gara pas paraqitjes së dobët në debatin me rivalin republican Donald Trump muajin e shkuar.

“Presidenti u tha të dy krerëve se ai është i nominuari i partisë, ai planifikon të fitojë dhe mezi pret të punojë me të dy për të ç uar përpara axhendën e tij 100 ditore për të ndihmuar familjet që punojnë”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, AndrewBates në një deklaratë.