Vendosni fjalën kyçe....

Protesta të ashpra në vendin aziatik, ndërpriten komunikimet e mediat në shkallë kombëtare


Kanalet televizive të lajmeve në Bangladesh ishin jashtë transmetimit dhe telekomunikimet u ndërprenë gjerësisht të premten mes protestave të dhunshme të studentëve kundër kuotave për punët në qeveri, në të cilat janë vrarë afro 22 persona këtë javë. Nuk kishte asnjë koment  të menjëhershëm nga qeveria.

Agjencia franceze e lajmeve AFP raportoi se numri i të vdekurve në dhunën e së enjtes ishte rritur në 32. Reuters kishte raportuar se 13 njerëz u vranë, duke iu shtuar gjashtë të vdekurve në fillim të javës por nuk mund të verifikonte menjëherë numrin më të madh që raportohet nga mediat e tjera.

Gazeta e Indisë Economic Times raportoi se qeveria e kryeministrit Sheikh Hasina “u detyrua” të nxirrte në rrugë ushtrinë vonë të enjten për të ndihmuar në “mbajtjen e rendit”. Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur informacionin.

Autoritetet kishin ndërprerë disa shërbime celulare të enjten në përpjekje për të shuar trazirat, por ndërprerja u përhap në të gjithë vendin të premten në mëngjes, thanë dëshmitarët e Reuters në Dhaka dhe Nju Delhi.

Faqet e disa gazetave me bazë në Bangladesh nuk po përditësoheshin të premten në mëngjes dhe faqet e tyre të mediave sociale gjithashtu nuk ishin aktive.

Vetëm disa thirrje zanore po funksiononin në vend dhe nuk kishte internet në celular të premten në mëngjes, tha një fotograf i Reuters në Daka.

Kanalet televizive të lajmeve dhe media shtetërore BTV ishin jashtë transmetimit ndërsa kanalet argëtuese vijonin transmetimin normal, tha një dëshmitar i Reuters.

Rrugët në kryeqytetin Daka u shkretuan të premten, e cila është një festë javore në vend. Kishte pak trafik dhe turma të pakta pranë një tregu perimesh dhe peshku, tha ai, duke shtuar se një protestë ishte thirrur në xhaminë kryesore rreth orës 8 të mëngjesit.

Agjitacioni mbarëkombëtar, më i madhi që kur Hasina u rizgjodh në fillim të këtij viti, është nxitur nga papunësia e lartë e të rinjve. Gati një e pesta e popullsisë 170 milionëshe të vendit është pa punë apo arsim.

Protestuesit po kërkojnë që shteti të ndalojë caktimin e 30% të vendeve të punës në qeveri për familjet e njerëzve që luftuan në luftën e pavarësisë së 1971 nga Pakistani.

Qeveria e Hasinës e kishte hequr sistemin e kuotave në vitin 2018, por Gjykata e Lartë e rivendosi atë muajin e kaluar.