Vendosni fjalën kyçe....

“Ngritën skema për të zhvatur qytetarët” – Prokuroria sekuestron kompanitë “Micro Credit Albania” e “Final”


Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar kompanitë “Micro Credit Albania” dhe “Final”.  

MCA akuzohet për ashtrim me pasoja të rënda të kryer më shumë se një herë ndërsa Final përveç akuzës në fjalë ka edhe atë për pastrim parash.

Nga hetimet e prokurorisë ka dalë se MCA e Final në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe disa shoqëri të tjera përmbarimore kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona euro.

Kompanit në fjalë akuzohen se kanë përdorur të  dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të qytetarëve debitorë pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme ku përfshihen numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimit etj.

Ato kanë përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e  debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet  telefonatave të vazhdueshme me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive si dhe kanë përdorur gënjeshtrën që konsistonte në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore.

Komanitë MCA dhe Final akuzohen gjithashtu për sekuestrimin e llogarive bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur dhe shitjen ose kalimin në pronësi të MCA të pasurivetë paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë, në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera e vërtetë e pronave të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.

Më herët për hetimet lidhur me mikrokreditë janë arrestuar Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, Kejda Seferi, Alban Kote, Alketa Tanushi, Jorsida Dervishi dhe Elda Ibro ndërsa bashkëshorti i kësaj të fundit, Olsi Ibro ndodhet jashtë vendit.

Pak ditë më parë, një qytetar nga Lezha Pal Trashaj pi helm para godinës së SPAK-ut dhe më pas ndërroi jetë në spital. Ai kishte probleme me mikrokreditë dhe kërkonte takim me prokurorët e SPAK-ut.

Pas vdekjes së Pal Trashajt, shoqëria MCA bëri një reagim publik duke thënë se po abuzohej më rastin në fjalë duke dhënë sqarimin e saj për atë që ishte ndodhur duke pretenduar se ngjarja po përdorej për linçimin e saj.

Njoftimi i prokurorisë

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkon vendosjen e sekuestros preventive mbi kuotat dhe asetet/aktivet (pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, tituj pronësie etj) të:

Personit juridik – Micro Credit Albania, i dyshuar për  kryerjen e veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 143/3;

Person juridik – “Final” i dyshuar për  kryerjen e veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 143/3 (më shumë se një herë), “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë Kriminale” të  kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni  287/2 të Kodit Penal.

Nga hetmet, rezultoi se shoqëritë tregtare MCA dhe Final, në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperte vlerësuese, duke pasur që në fillim të ushtrimit të aktivitetet të  tyre (aktivitetit të  blerjes dhe mbledhjes së kredive të këqija) mendimin unik kriminal, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona Euro.

Shoqëritë dhe personat nën hetim  në mënyrë abuzive kanë:

Përdorur të  dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme (numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj);

Përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e  debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet  telefona të vazhdueshme( dhe jo vetëm) me  qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive;

Përdorur gënjeshtrën që konsistonte në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore;

Sekuestrimin e llogarive bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor;

Kryer sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur; dhe

Kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA,  pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande  fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.

Të gjitha veprimet e sipërcituara janë kryer me qëllim për të shtrënguar dhe detyruar debitorët për të marrë kredi të reja me vlerë principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta, duke gënjyer që po “ristrukturojnë  të vjetrën” apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat.

Si rrjedhojë shoqëritë MCA dhe Final kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në 10-tra milion Euro sipas mënyrës së sipërcituar, para  dhe prona të cilat i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera.

Nga analiza e sipërcituar rezulton në procedimin penal 2123 të vitit 2020 janë administruar të dhëna të mjaftueshme nga të cilat krijohet dyshimi i arsyeshëm se pasuritë e shoqërive të sipërcituara  janë produkt i veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 143/3, e për rrjedhojë krijohen dyshime se disponomi i këtyre pasurive mundet që të rëndojë apo të zgjasë më tepër pasojat e veprës penale apo mundet që të lehtësojë kryerjen e veprave të tjera penale, si dhe  konsiderohen  pasuri që duhet të konfiskohet.”