Vendosni fjalën kyçe....

Gentiana Sula raporton në Kuvend aktivitetin e AIDSSH-së për 2023: Verifikim figure për zyrtarë të lartë e kandidatë në zgjedhje


Modernizimi i arkivës, verifikimi i zyrtarëve të lartë, gjetja e vendvarrimeve të të zhdukurve gjatë diktaturës, edukimi qytetar, shërbimet dhe ndryshimet ligjore ishin pikat kryesore të raportimit të AIDSSH për vitin 2023 në parlament.

Drejtuesja e këtij institucioni, Gentiana Sula, shpalosi raportin në seancën e fundit parlamentare për këtë sesion.

Sula theksoi se raporti dokumenton punën për rishqyrtimin historik të policisë politike si ish-Sigurimi i Shtetit, sjelljen e narrativave të atyre që u targetuan si kundërshtarë apo armiq të kohës, dhe përmirësimin e cilësisë dhe shpejtësisë në shërbimin e dokumenteve.

Modernizimi i Arkivës: AIDSSH ka grumbulluar vazhdimisht dokumentacion arkivor dhe ka krijuar arkivën digjitale “Mediatekë” për të siguruar akses më të gjerë në dokumente. Gjatë vitit të kaluar, janë marrë 21 vendime të Komisionit të Deklasifikimit dhe Zhvlerësimit, duke zhvlerësuar 5,591 njësi arkivore dhe duke publikuar inventarët e tyre. Dosjet fizike të digjitalizuara janë dyfishuar, duke arritur në 2,113 dosje, dhe ka nisur skanimi masiv i dokumenteve me afro 1,500,000 imazhe.

Shërbimet: AIDSSH ka ofruar shërbime për individë, studiues dhe media, duke regjistruar 457 kërkesa të reja individuale dhe 112 kërkesa studimore mediatike. Janë vënë në dispozicion 1,329 dosje, me rreth 138,010 faqe, nga të cilat 10,522 faqe janë anonimizuar.

Verifikimi i figurave: Gjatë vitit 2023, AIDSSH ka verifikuar 257 kandidatë, nga të cilët 14 figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit. Për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, AIDSSH dërgoi shkresa pranë 50 subjekteve politike apo koalicioneve të regjistruara, por u paraqitën vetëm 2 kërkesa.

Kryetarja e AIDSSH-së theksoi se: “Vijon të mbetet problematikë mungesa e bashkëpunimit nga ana e subjekteve politike, që çon në moszbatim të detyrave ligjore të ngarkuara sipas përcaktimeve të nenit 30 të ligjit. Paketa me propozime e dorëzuar nga Autoriteti për ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor do të krijojë hapësirën ligjore që të kryhet verifikimi i gjithë kandidatëve që kandidojnë në zgjedhje.”

Lidhur me ri- verifikimin e figurave të zyrtarëve të pajisur më parë, me çertifikatë pastërtie figure AIDSSH ka identifikuar 13 zyrtarë në 6 institucione: o 1 kandidat i MEPJ është liruar nga detyra për efekt të moshës së pensionit. o 1 kandidat i KLGJ-së, nuk është emëruar në ndonjë detyrë nga ana e KLGj.

Për 4 kandidatët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, dy prej tyre nuk janë më në Policinë e Shtetit, e dy zyrtarët e tjerë nuk janë subjekte verifikimi sipas ligjit nr. 12/2018. o Kandidati i Gjykatës së Rrethit Vlorë, është skualifikuar nga vettingu ndërsa 2 institucione nuk kanë kthyer ende përgjigje zyrtare.

Ndryshim ligjor ka dhënë rezultat pasi në vitin 2023, për një kandidat të pajisur më parë me çertifikatë pastërti figure, i cili pas ri-verifikimeve figuroi në detyrën e prokurorit në një çështje penale politike.

Edukimi qytetar: AIDSSH ka bashkëpunuar me MAS për përfshirjen në kurrikulën e arsimit parauniversitar të informimit mbi aktivitetin e ish-Sigurimit të Shtetit. Është krijuar platforma interaktive “Mësojmë nga e kaluara, burime arsimore të hapura 1944-1991,” e cila përfshin burime parësore si arkivë dhe dëshmi gojore.

Vendet e kujtesës: AIDSSH ka planifikuar ndërtimin e një memoriali në Ersekë për të nderuar të vrarët dhe të zhdukurit në kufi, si dhe ndërtimin e një varreze monumentale në Tiranë për të zhdukurit nga diktatura. Propozimet për ndërtimin e Muzeut Kombëtar “Kampi i Punës së Detyruar të të Burgosurve Spaç” dhe Muzeu Kombëtar “Kampi i Internimit me Tela me Gjemba Tepelenë” ende nuk janë miratuar.

Në përfundim, raporti i AIDSSH për vitin 2023 theksoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në rishqyrtimin historik dhe edukimin qytetar në Shqipëri.