Vendosni fjalën kyçe....

Skandali me mikrokreditë, vetëvritet Olsi Ibro, burri i pronares së Micro Credit Albania


Olsi Ibro, i cili dyshohej si i përfshirë në skandalin me mikrokreditë është vetëvrarë.

Bashkëshorti i Elda Ibros, pronares së shoqërisë Micro Credit Albania, është hedhur nga një pallat në ndërtim e sipër në rrugën “Ramazan Shijaku” pranë ish-stacionit të trenit në Tiranë.

Elda Ibro është me masën arrest shtëpie si pjesë e hetimit për  skemën e mikrokredive, nga e cila dyshohet se e kanë paësuar mij♪ra qytetarë në mbarë vendin.

Trupi i pajetë është gjetur mëngjesin e sotëm nga roja i objektit ndërsa pranë vendit të ngjarjes janë gjetur disa kokrra fostoksinë, por do jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do përcaktojë nëse viktima ka konsumuar helm para hedhjes.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, viktima është pikasur në makinën e tij pranë vendit ku u gjet trupi i pajetë dhe ka qëndruar brenda mjetit për disa kohë para ngjarjes, shkruan BW.

Ngjarja e rëndë vjen një ditë pasi prokuroria e Tiranës sekuestroi dy kompanitë e mikrokredive Micro Credit Albania (MCA) dhe Final.

Më 30 maj, prokuroria kishte sekuestruar 10 milionë euro llogari bankare të dy kompanive të lartpërmendura dhe personave të lidhur me to.

Njoftimi

“Më datë 20.07.2024, në rrugën “Ramazan Shijaku”, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër, shtetasi O. I., 45 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”

Ditën e djeshme prokoria e Tiranës sekuestroi kompanitë MCA e Final.

Sipas saj MCA e Final në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe disa shoqëri të tjera përmbarimore kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona euro.

Kompanitë në fjalë akuzohen se kanë përdorur të  dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të qytetarëve debitorë pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme ku përfshihen numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimit etj.

Ato kanë përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e  debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet  telefonatave të vazhdueshme me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive si dhe kanë përdorur gënjeshtrën që konsistonte në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore.

Komanitë MCA dhe Final akuzohen gjithashtu për sekuestrimin e llogarive bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur dhe shitjen ose kalimin në pronësi të MCA të pasurivetë paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë, në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera e vërtetë e pronave të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.

Më herët për hetimet lidhur me mikrokreditë janë arrestuar Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, Kejda Seferi, Alban Kote, Alketa Tanushi, Jorsida Dervishi dhe Elda Ibro ndërsa bashkëshorti i kësaj të fundit, Olsi Ibro, nuk është gjetur.

Pak ditë më parë, një qytetar nga Lezha Pal Trashaj piu helm para godinës së SPAK-ut dhe më pas ndërroi jetë në spital. Ai kishte probleme me mikrokreditë dhe kërkonte takim me prokurorët e SPAK-ut.

Pas vdekjes së Pal Trashajt, shoqëria MCA bëri një reagim publik duke thënë se po abuzohej më rastin në fjalë duke dhënë sqarimin e saj për atë që ishte ndodhur duke pretenduar se ngjarja po përdorej për linçimin e saj.