Partia Demokratike ka denoncuar sot kontratat koncensionare në shëndetësi.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në selinë blu Genta Vangjeli tha se procedurat e laboratorëve, sterilizimit dhe të sanitarizimit të spitaleve në Shqipëri vërtiten rreth një grushti të ngushtë kompanish e njerëzish të lidhur me njëri-tjetrin dhe pas të cilëve qëndrojnë drejtuesit e shtetit dhe kryeministri Rama.
Vangjeli tha se kompania SANITARY CLEANING shpk e themeluar nga Fatos Deliu në vitin 2014 ka fituar nga viti 2019 deri në vitin 2024 57 pagesa më vlerë 2.3 milionë euro.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD shtoi më tej se Deliu ka qenë pronar dhe themelues i shoqërisë Eco Riciklim shpk deri vitin 2018, me pronar djalin e nëndrejtoreshës së QSUT-së Arjana Strakosha.
Ajo ka shtjelluar më tej përfitimet e kompanive të lidhura me Fatos Deliun dhe një shtetas me iniciale B.J.
PD- i bën thirrje SPAK-ut të hetojë koncesionet dhe kompanitë në fjalë.
Deklarata e Vangjelit
“Procedurat e laboratorëve, sterilizimit dhe të sanitarizimit të spitaleve në Shqipëri vërtiten rreth një grushti të vogël kompanish e njerëzish të lidhur me njëri-tjetrin dhe pas të cilëve qëndrojnë vetë drejtuesit e shtetit e mbi të gjitha vetë Edi Rama.
Pak ditë më parë në 28 Qershor 2024 Edlira Bode e SUT të cilën Edi Rama nuk e ka shkarkuar nga detyra edhe pse KLSh në raportin e auditimit 2023 ka lëshuar masën disiplinore ndërprerjen e mënjëhershme të marrëdhënies së punës për të, zhvilloi procedurën me negocim pa shpallje me objekt: “Kryerjen e shërbimit të lavanderisë për nevoja emergjente”, fondi 275 mijë euro.
Për këtë procedurë mori pjesë vetëm 1 ofertues i cili u shpall edhe fitues me 98.9% të fondit limit, konkretisht operatori ekonomik SANITARY CLEANING shpk që sipas Open Data nga viti 2019 deri në vitin 2024 ka përfituar 57 pagesa kundrejt vlerës 2.3 milion euro përfshirë edhe SUT 4 pagesa për të njëjtin objekt kontrate.
Kompania SANITARY CLEANING shpk është themeluar nga Fatos Deliu në v.2014 si pronar i vetëm.
Fatos Deliu ka qenë pronar themelues edhe i shoqërisë Eco Riciklim shpk deri 2018, me pronar djalin e nëndrejtoreshës së QSUT znj.Strakosha, i cili vijon me kontratat publike pa u shqetësuar.
Në Maj 2018 F. Deliu shet 60% të kuotave të kapitalit të SANITARY CLEANING shpk tek kompania hollandeze Berinv B.V përfaqësuar nga Tamara Alexandra Eleonora Ëingelaar. Sipas mediave kjo zonjë ka mbajtur në 2018-n detyrën e drejtores ekzekutive të kompanisë “AB Laboratory Solutions”, që ka një tjetër koncesion në shëndetësi, atë të laboratorëve me vlerë 120 mln euro. Ajo është larguar nga kjo detyrë më 21 qershor 2018, duke i lënë vendin Konstantinos Karathanos. Personi me të njëjtin mbiemër Janis Karathanon, është pjesë e pronësisë së koncesionit të laboratorëve me kompanitë Labopharma dhe AB Laboratory Solutions.
Në Korrik 2018 F. Deliu largohet nga ortakëria duke shitur 40% të kuotave në favor të shoqërisë italiane “Servizi Italia s.p.a”. Kjo kompani është pjesë e koncesionit të sterilizimit kontratë e vitit 2015 me vlerë fillestare 11 milionë euro.
5 vite më pas në Shtator 2023 Servizi Italia spa shet aksionet tek Fatos Deliu dhe shtetasi B.J.
Në Dhjetor 2023 Fatos Deliu shet kuotat në favor të shoqërisë “Amphora Holding” me pronare shtetasen A.J.
Dhe po në të njëjtën datë 29 Dhjetor 2023 ortaku tjetër Berinv B.V shet kuotat në favor të shoqërisë “Videl” shpk me pronare shtetasen e njëjtë si më lart me inicialet A.J.
Pronarët aktualë të Sanitary Cleaning shpk janë :
Shtetasi B.J 20% të kuotave;
Amphora Holding 20% të kuotave, me pronare shtetasen A.J dhe
VIDEL shpk 60% të kuotave me pronare shtetasen A.J më lart.
Kjo rrjetë merimangash në ndryshime ortakërie nuk ka mundur të mbulojë përfituesit fundorë të cilët lidhen me kontratat më të majme të tenderave në shëndetësi, gjithashtu të koncesioneve e kontratave të drejtpërdrejta.
Ku është drejtësia këtu…çfarë po pret akoma…