Ka një siklet të dukshëm të kryeministrit Edi Rama si pasojë e një fryme në rrjete sociale dhe në portalet e prenotimeve turistike, ku vërehen pakënaqësi të mëdha për rritjen e çmimeve apo braktisjen në masë të plazheve.
Turizmi është hambar i ekonomisë tonë dhe fakti që Rama shqetësohet është diçka shumë e mirë, mirëpo ai nuk është kronikan, por administrator i shtetit dhe detyra e tij nuk është të konstatojë probleme por të gjejë zgjidhje.
Sot Edi Rama publikoi një raport të një enti evropian që thoshte se Shqipëria kishte rritjen më të madhe të flukseve në aeroportin e Rinasit, krahasuar me flukset në vendet fqinje për periudhën (Mars-Qershor 2024).
Nga ana tjetër Hashtag.al ka mësuar se ka patur dhe tentativa për të përkeqësuar imazhin e turizmit shqiptar në tërësi, institucionet e sigurisë kanë arritur të pikasin disa dhjetëra adresa në internet me burim të njëjtat rubinet-IP që janë non-stop të dedikuara me ankesa dhe diskretitim të turizmit shqiptar.
Një tjetër problem që bezdis kryeministrin janë dhe funpage-t në Facebook apo në TikTok që ditë pas dite nxjerrin në pah ekzagjerime apo abuzime të operatorëve turistikë.
Mirëpo këto faqe edhe në vitet e kaluara këtë punë kanë bërë, por nuk ishte dhe aq problem, ndaj natyrshëm lind pyetje se çfarë ka ndryshuar këtë vit?
Si ka mundësi që shifrat nga Rinasi vijnë me rritje numri turistësh ndërsa perceptimi publik anon nga braktisja.
Për ta analizuar sa më qartë këtë paradoks do të duhej të kishim ca shifra, sepse shifrat janë më objektive se perceptimet emocionale, mirëpo këtu përballemi me një problem.
Në ndryshim nga të gjithe vendet e rajonit dhe nga vendet e tjera evropiane, Shqipëria nuk ka sistem raportimi në kohë reale për akomodimet.
Nëse në Greqi, në Malin e Zi, apo Kroaci, prenotimi i një hoteli apo AirBNB regjistrohet menjëherë në një sistem elektronik special, apo çdo kompani e licensuar për dhënie automjetesh me qira, raporton në kohë reale prenotimet e automjeteve nga shtetas të huaj, Shqipëria nuk ka një sistem të tillë që bën përllogaritjen në kohë reale.
Sot ministri Blendi Gonxhe përshembull raportoi në Facebook-un e vet se janë rritur në mënyrë të ndjeshme vizitat e turistëve të huaj në sitet historike, por nga ana tjetër mjafton të shëtitësh përgjatë Lanës në Tiranë dhe ti ndeshesh çdo ditë me grupe turistësh të huaj.
Pra situata nuk është dhe aq sterr, përveç faktit që perceptojmë tre dukuri:
-Turistët po vijnë
-Plazhet nuk po pësojnë boom
-S’kemi shifra në kohë reale
Nisur nga këto kufizime, vlen të theksohet se popullimi masiv i plazheve dhe i shezlongëve nuk është tregues që mund të kuptohet në jugun e vendit. Por në Durrës. Ja pse.
Turistët e llojit all-inclusive që shkojnë 5-7-10 ditë në një resort dhe shijojnë detin e Diellin në shezlong, nuk janë turistë që vijnë me iniciativë private. Ata organizohen me tour-operator, siç organizohemi ne shqiptarët kur shkojmë në resortet turke.
Mirëpo kompanite internacionale të tour-operator kanë ca standarde. Përshembull, maksimumi i distancës së resortit nga aeroporti mund të jetë vetëm 79 minuta. Madje në disa raste tour-operatorët kanë tavanin prej 59 minutash.
Distanca nga Rinasi drejt Vlorës është më shumë se kaq, ndaj dhe apriori shezlonget e Vlorës e ca më në jug akoma, nuk janë ende treg potencial i këtij lloj turisti ndërkombëtar masiv.
Por matës mund të jetë Durrësi, i cili në ndryshim nga jugu, ka resorte me kapacitete të mëdha akomoduese dhe punon me tour-operatorët e huaj, por siç e thamë, shifra në kohë reale ne nuk kemi, kështu që do presim analizat e tërthorta të tetorit për të kuptuar më shumë.
Nga ana tjetër tipologjia e turistëve që zbarkojnë në Rinas, nuk duket ajo e turistit që rri gjithë kohës në resort dhe shezlong. Ky është një tjetër lloj turisti, më individual.
Ky turist nuk synon shezlongun, por synon dhe vizitën e siteve historike apo qendrave të qyteteve, ky lloj turisti nuk pret portalet ça do shkruajnë, por është planifikuar disa javë apo muaj më përpara, ky lloj turisti ka bërë prenotimin e hoteleve në qytete brenda ose në pjesën dërrmuese të Air BNB-ve.
Nëse këtij lloj turisti i thua se pjata e makaronave bën 18 euro, ai shkon në ndonjë dyqan të zonës, e blen vet ushqimin dhe shkon e gatuan te AirBNB që ka prenotuar.
Ky lloj turisti shkon dhe në zonat me natyrë të egër e të virgjër të Veriut, anës lumit Shalë, në bujtina e në kanione, mirëpo nga lumi Shalës nuk kemi as foto në internet siç kemi nga jugu dhe as shifra në kohë reale siç do duhej të kishim nga qeveria.
Për pasojë gjithçka kthehet në luftë perceptimi dhe kryeministri me të drejtë shqetësohet, sepse diçka që ai e kupton me intuitë, e ka të pamundur që ta vërtetojë me shifra në kohë reale.
Sepse e ka bazuar zhvillimin e turizmit te intuita e tij dhe jo në një sistem profesional tregu.
Ai ka vullnetin dhe intuitën për ta ndërtuar diçka, por i mungon sistemi për ta ndërtuar apo për ta mbajtur në punë.
Fjala vjen, Edi Ramës i duhet dhënë haku me investimin në tunelin e Llogarasë dhe me investimin në aeroportin e Vlorës. Të dyja këto vepra hapin automatikisht rrugën që subjektet akomoduese të këtyre zonave jugore të punonjnë me tour-operatorë ndërkombëtarë në vitet e ardhshme.
Në këtë rast intuita e tij s’ka të sharë.
Mirëpo sistemin ai e ka bërnut, sepse shërbimi dhe akomodimi kërkon rregulla loje dhe disiplinë, ti mund ta ndërtosh me intuitë, por për ta mbajtur duhen standarde dhe rrjet shërbimesh.
Edi Rama është mik me Gjergj Lucën, ky i fundit është sipërmarrës i suksesshëm dhe e ka mundësinë ta bëjë plazhin në çdo anë të globit.
Para disa ditësh Gjergj Luca postoi një video nga Saranda ku i bënte thirrje bizneseve dhe restoranteve të mos i çonin çmimet kacafiu. “More vëllezër, ushqimi dhe shërbimi janë çelësi i turizmit”, – përsëriste Luca si me dëshpërim.
Nuk vonoi shumë dhe Luca postoi sërish, por kësaj here i entuziazmuar nga Pogradeci, Luca dukej shumë i kënaqur.
“Kryetari Bashkisë këtu qenka komunist i vërtetë, paska rregull e cilësi këtu mër jahu”, – thoshte Luca me shpoti dhe dashamirësi, kur kuptoi se kryebashkiaku i Pogradecit kishte vendosur ca konture dhe vija të kuqe, si për çmimet ashtu dhe për shërbimin publik e atë privat.
Luca i ka mundësitë ekonomike që të shkojë në Greqi apo Karaibe e të prenotojë dhe një ishull të tërë për veten, mirëpo ja që në fund të ditës dhe ai njeri është, i intereson se si ndihet në një vend dhe jo si duket.
Për t’u dukur mjafton intuita, ama për t’u ndjerë duhet sistem profesional tregu.
Në hesap të fundit ka realisht një tregues që përtej spekulimeve në internet, përtej tendencës së medias opozitare për ta acaruar Ramën me turizmin, apo po të doni dhe përtej ndonjë plani sabotazhi nga shtetet fqinje për njollosjen e Shqipërisë, ka një tregues që Edi Rama nuk e zhbën dot.
Ky tregues është paaftësia e tij absolute, ministres së tij të Turizmit dhe gjithë administratës së tij, për të patur shifra dhe të dhëna në kohë reale mbi akomodimet dhe tipologjitë e turistëve.
Ky tregues është dhe thelbi i mënyrës si qeveris Edi Rama, ai është një politikan i zhdërvjelltë por pa autoritet në administratë, ai është një udhëheqës fuqiplotë por një shtetar i dobët, ai është një njeri me intuitë shumë të fortë në krye të një tregu pa sistem.
Për ta ilustruar këtë argument mjafton të kujtojmë se Edi Rama ka zhdërvjelltësinë “vrastare” që të ndërtojë një sistem perfekt patronazhimi elektoral për të marrë pushtetin.
Ai di në kohë reale ditën e zgjedhjeve sa dhe kush po shkon të votojë për të dhe pse vota është e fshehtë.
Mirëpo i njëjti Edi Rama, nuk di dhe nuk është në gjendje të vërtetojë në kohë reale sa turistë dhe çfarë lloj turistësh janë akomoduar në 24 orët e fundit në vendin që ai drejton.
Ai di me saktësi matematikore pikat e dobëta ditën e zgjedhjeve për qindra mijëra votues por nuk di dhe “nuk kupton dot” fjala vjen se krahu i djathtë po i ha dardhat pas shpine.
Për pushtetin e vet që e ka vetëm të vetin, ai nuk e lë punën thjesht te intuita. Por krijon sistem patronazhimi si makinë qepse që të garantohet për rezultatin.
Kur vjen puna pastaj te sektorët strategjikë ekonomikë, përfshirë dhe turizmin, i mjafton veç intuita e tij, nuk e çan shumë kokën për sistemin që garanton sektorin bashkë me qytetarët, shqiptarë apo të huaj qofshin.
Është mjeshtëria e tij për të ndërtuar sistemin perfekt patronazhist elektoral ajo që e nxjerr zbuluar me mungesën akute të të dhënave në kohë reale për turizmin.
Është i zbuluar në këtë kontrast të fortë.
Për pasojë shërbimet armike jugosllave dhe sovjetike, nuk është se kanë ndonjë nevojë të madhe për të sabotuar turizmin në këtë vend, mendja ta do që ata duhet të jenë shumë të qetë kur shohin se si këto sektorë strategjikë janë të komanduara thjesht nga intuita e dikujt dhe jo nga zhvillimi me akademi dhe sistem. / Hashtag.al