Këshilltari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka qëndruar për më shumë se 5 orë në komisariatin e policisë, për të dhënë sqarime për të që ndodhi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku pati një përplasje fizike me këshilltarin tjetër, Halit Valteri.
Blushi u shpreh se ishte provokuar gjatë mbledhjes dhe theksoi se “rrugaçëria mori përgjigjen e merituar”.
Gjatë mbledhjes, Blushi ka hedhur një tufë me letra në drejtim të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe më pas u përfshi në një përplasje fizike me këshilltarin socialist, Halit Valteri. Valteri ka raportuar se është goditur me grushta dhe sende të forta nga Blushi dhe e ka kallëzuar atë në polici për dhunë.
Incidentet në sallën e këshillit kanë sjellë tensione të larta dhe janë monitoruar nga forcat e policisë, të cilat kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën.
“Prej 5 orësh jam në komisariatin e narkoshtetit për të dhënë sqarime për atë ngjarje të shëmtuar, me atë provokim që m’u bë sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku rrugaçëria mori përgjigjen e merituar siç e mori në dyert e këtij komisariati dhe siç do e marrë në çdo strofull të krimit. Me këtë regjim ka zero tolerancë, ka vetëm qëndresë. Përgjigja do jetë shembullore në çdo strofull, komisariat. Kush do provokojë opozitën do marrë përgjigjen në mënyrë demokratike dhe shqiptare”, u shpreh ai.