Autoritetet serbe ende nuk e kanë bërë të ditur kohën dhe mënyrën se si do të mund të sillet në Kosovë trupi i pajetë i Faton Hajrizit, shtetasit kosovar të vrarë nga autoritetet serbe më 19 korrik.
Arianit Koci, avokat nga Kosova, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se është autorizuar nga familja Hajrizi për t’u angazhuar në procedurat e tërheqjes së trupit nga Serbia. Ai tha se ende nuk dihet se është trupi i tij dhe se pret të niset për Serbi nesër apo pasnesër.
Hajrizi, që ishte arratisur nga një burg në Kosovë më 6 korrik, u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.
Kërkimi disa orësh i policisë së Serbisë për Faton Hajrizit rezultoi në kapjen dhe vrasjen e tij.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës më 22 korrik bëri të ditur se kanë konfirmuar identitetin e Hajrizit nga shenjat e gishtërinjve të dërguara nga autoritetet serbe përmes Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor (ILECU) në kuadër të Misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë.