Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, në diskutimet që po zhvillohen në Kuvend, lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, tha se zgjedhjet nuk duhet të jenë as domain i askujt, por edhe as i ndonjë grupi të privilegjuar.
Tabaku tha se sot po miratohet minimumi i mundshëm i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke shtuar se Kuvendi po miraton detyrimet e caktuara nga Gjykata Kushtetuese.
Ajo tha se është për një sistem mazhoritar, ashtu siç ishte para 2009-ës, pasi ky do të ishte një testim i secilit prej atyre që janë në politikë.
“Ne sot që të gjithë kemi interesa politike, por a ngrihemi ne për të ndryshuar rregullat e lojës, edhe kur na prekin ne? Rregullat që na prekin ne nuk i kemi ndryshuar dhe sot po bëjmë minimumin e mundshëm, atë që na kërkon Gjykata Kushtetuese, por nuk po ofrojmë një reformë gjithëpërfshirëse, transparente dhe të debatuar”, tha Tabaku.
Ajo vuri theksin te influenca mbi votën, përdorimin e resurseve të shtetit.
“Gjithmonë kemi bërë ndryshime të minutës së fundit dhe kjo ndodh për shkak të mungesës së vullnetit politik, që nuk e jep opozita, por mazhoranca.
Kjo e fundit nuk e ka dhënë asnjëherë vullnetin politik, është e pafalshme mungesa e vullnetit për të ndryshuar sistemin, për të implementuar rekomandimet e OSBE. Po si ka mundësi që diskutojmë pas 30 vitesh tranzicion, të njëjtat probleme që diskutonim 30 vite më parë”, tha Tabaku.