Nga Desada Metaj
Votimi për mbylljen e listave ka marë miratimin e PS dhe PD. Veç 8 deputetëve të opozitës që e kundërshtuan me votë, pjesa tjetër përkrahu pa rezerva produktin e Damian Gjiknurit dhe Oerd Bylykbashit që është ka formë përfundimtare : Lista të mbyllura!
E nëse PS dhe Edi Ramës i intereson kjo formulë, një letër dhe një laps për të mbajtur apo zëvendësuar besnikët dhe hajdutët e tij, një pyetje lind. Për çfarë i duhen PD listat e mbyllura? Një parti prej gati 12 vitesh në opozitë dhe që është shkalafitur copash nga betejat e brendshme këto 3 vjet.
Si mundet të frymëzojë dhe bashkojë rreth vetes të rinj dhe profesionistë lista e mbyllur? Dhe nëse kjo i intereson kryetarit Berisha për të ruajtur autokracinë dhe pushtetin e tij në PD, si mundet deputetë të tillë si Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Tomorr Alizoti, Helidon Bushati dhe te tjerë të ngjashëm të votojnë pro një sistemi që garanton mandatin e katërt të Ramës? Si mundet që për të siguruar një vend në listën e Sali Berishës të shkelin mbi çdo parim demokratik dhe qytetar e ti hapin rrugën autokracisë së Edi Ramës dhe Sali Berishës?
Ndoshta nuk do jetë e largët dita kur të njëjtët do t’i hapin rrugë ndryshimit te Kushtetutës, ndryshimeve dhe në Kodin Penal për të amnistuar zyrtarët e nenit “shpërdorim detyre”. Ndoshta dhe të ngrohin karriget te komisioni i Fatmir Xhafës për të vënë SPAK-un e “bezdisshëm” nën kontroll. Dhe të gjitha këto do ti bëjnë në funksion të karriges së deputetit.
Dhe do ti bëjnë të bindur e kokëulur deri ditën e dorëzimit të listave në KQZ. Sepse nuk janë asgjë më shumë se pacientë të agonisë së zgjatur doktor Berishës. Dhe për të zgjatur agoninë për bashkëpunëtorët e tij ai është doktori më i mirë në Shqipëri!
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VNA