Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka denoncuar zyrtarët e administratës që sipas tij po bëjnë raprezalje ndaj bizneseve të hotelerisë në bregdete, liqene e lumenj.
Në një deklaratë nga selia e partisë ai tha se bizneset po detyrohen të blejnë impiante për përpunimin e ujërave të zeza nga 20 mijë deri në 100 mijë euro ndërkohë që kanë kontratë me Ujësjellës- Kanalizimet.
Blushi denoncoi gjobat ndaj bizneseve nga 15 deri në 30 milioë lekë.
”Partia e Lirisë dënon me forcë raprezaljen e Qeverisë, ndaj bizneseve në fushën e hotelerisë që zhvillojnë aktivitet në bregdet, buzë liqeneve apo lumenjve, që në kulmin e sezonit turistik po gjobiten arbitrarisht nga Task-Forca e dyshes Balluku-Kumbaro. Detyrimi me forcë i bizneseve turistike që kanë kontratë të rregullt me Ujësjellës-Kanalizime për ujrat e ndotura, për të blerë impante për përpunimin e tyre, që kushtojnë nga 20 deri në 100 mijë euro, në të kundër u rrezikohet heqja e licencës, nuk është gjë tjetër veçse paligjshmëri. Është kriminale vendosja e gjobave ndaj bizneseve nga 15 milion në 30 milion lekë, për të cilat vetëm në gjykatë mund të ankohesh. Gjobat ndaj bizneseve turistike që kanë kontrata të rregullta me shtetin janë zhvatje me licencë qeveritare ndaj duhet të ndalen urgjentisht.” – tha Blushi.
Më tej ai tha se Partia e Lirisë mbështet të gjithë biznesmenët e ndershëm ndërsa i bën thirrje ministreve Balluku e Kumbaro që t’i japin fund raprezaljes ndaj sipërmarrësve të ndershëm, të cilëve u bën thirrje që të reagojnë fuqishëm.
“Partia e Lirisë solidarizohet me të gjithë sipërmarrësit e ndershëm në fushën e hotelerisë në bregdet dhe i bashkohet thirrjes së shoqatave të turizmit për t’i dhënë fund raprezaljes ndaj tyre. I bëjmë thirrje dyshes së babëzitur Balluku-Kumbaro të ndryshojë udhëzimin që favorizon shitësit e impianteve të ujrave të zeza dhe që nuk synon aspak mbrojtjen e mjedisit. Task-Forca gjobëvënëse duhet të ndalë urgjentisht shantazhet, kërcënimet dhe zhvatjet ndaj bizneseve në fushën e hotelerisë në bregdet.
Partia e Lirisë i fton të gjitha biznesetqë ushtrojnë aktivitetin e tyre në bregdet, buzë liqeneve apo lumenjve të reagojnë fuqimisht ndaj gjobëvënies arbitrare të Qeverisë”, mbylli denoncimin Blushi.