Vendosni fjalën kyçe....

“Dilni votoni, pas katër vitesh s’do duhet ta bëni më” – Deklarata e çuditshme e Trump-it


Kandidati republikan presidencial Donald Trump u tha të krishterëve të premten se nëse votojnë për të këtë nëntor, “pas katër vjetësh, nuk duhet të votojnë  më. Ne do e sistemojhmë shumë mirë, ju nuk do duhet të votoni.”

Nuk ishte e qartë se çfarë donte të thoshte ish-presidenti me komentet e tij, në një fushatë zgjedhore ku kundërshtarët e tij demokratë e akuzojnë atë si një kërcënim për demokracinë sidomos pas përpjekjes për të përmbysur humbjen në vitin 2020 ndaj presidentit Joe Biden, një përpjekje që çoi në kryengritje vdekjeprurëse në Kapitolin e SHBA-së më 6 janar 2021.

Trump po fliste në një tubim të organizuar nga grupi konservator “Turning Point Action” në West Palm Beach, Florida.

Trump tha: “Të krishterë, dilni dhe votoni, vetëm këtë herë. Nuk do t’ju duhet ta bëni më. Edhe katër vjet, do rregullohet, do bëhet më mirë, nuk do duhet të votoni më, të krishterët e mi të dashur”.

Ai shtoi: “Unë ju dua të krishterë. Unë jam i krishterë. Unë ju dua, dilni, duhet të dilni dhe të votoni. Pas katër vjetësh, nuk keni pse të votoni më, do e sistemojmë mirë e bukur këtë gjë, nuk do duhet të votoni”, tha Trump.

Zëdhënësi i fushatës së Trump, Steven Cheung nuk iu drejtua drejtpërdrejt komenteve të Trump kur iu kërkua t’i sqaronte ato.

Cheung tha se Trump “po fliste për bashkimin e këtij vendi” dhe fajësoi “mjedisin politik përçarës” për atentatin ndaj ish-presidentit dy javë më parë. Hetuesit nuk kanë dhënë ende një motiv se pse 20-vjeçari i armatosur hapi zjarr ndaj Trump.

Në një intervistë me Fox News në dhjetor, Trump tha se nëse do i fitonte zgjedhjet e 5 nëntorit do të ishte diktator, por vetëm në “ditën e parë”, për të mbyllur kufirin jugor me Meksikën dhe për të zgjeruar shpimet e naftës.

Nëse Trump fiton një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, ai mund të shërbejë vetëm katër vjet të tjera si president. Presidentët e SHBA-së janë të kufizuar në dy mandate, të njëpasnjëshme ose jo, sipas Kushtetutës së SHBA-së.