Kryeministri Rama ka bërë katër ndryshime në qeveri.
Në fund të një fjalimi të mbushur me batuta, premtime, vlerësime pë qeverisjn e tij e kritika për deputetë e zyrtarë, kreu i qeverisë njoftoi ndryshimet në qeveri, ashtu siç edhe pritej.
Ndryshimi më i fortë ishte padyshim largimi i Taulant Ballës, i cili është larguar si ministër i Brendshëm për të zëvendësuar Elisa Spiropalin si ministër Shteti për Parlamentin.
Vendin e tij e merr Ervin Hoxha.
Hoxha më herët ka mbajtur disa detyra të rëndësishme në administratë si kryeinspektor i IKMT-së, drejtor i Shërbimit të Proës, zv.drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe përgjegjësit të sektorit të Analizës Strategjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Ervin Hoxha u dorëhoq në vitin 2017 si drejtor i Hetimit Tatimor pas arrestimit të tre zyrtarëve të Hetimit Tatimor të cilët gjobitën një biznes privat në Spille të Kavajës, por biznesmeni denoncoi menjëherë gjithçka te Rama.
“I nderuar zoti Kryeministër.Me cilësinë e Drejtorit të Hetimit Tatimor, ndiej përgjegjësinë time të drejtëpërdrejtë për shfaqjen e turpshme të tre inspektorëve. Në këto kushte nuk mund të vazhdoj më ushtrimin e kësaj detyre. Sa më sipër, kërkoj dorëheqjen time të parevokushme nga ky funksion. Ju faleminderit për besimin”, i shkroi asokohe Hoxha në sms Ramës.
Hoxha ka kryer studimet e mesme në shkollën Teknike të Përgatitjes së Nënoficerëve në Balikesir, Turqi. Më tej ka studiuar në Akademinë e Lartë të Sigurisë në Dresden të Gjermanisë. Në vitin 2006 ai ka kryer ciklin universitar në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës ndërsa ka edhe një master në Shkollën e Lartë të Policisë Gjermane, ku ka titullin M.A në Administrim Publik dhe Menaxhim Policor.
Gjatë karrierës ai ka mbajtura detyra të ndryshme si drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, shef i Njësisë Kombëtare Europol, shef i Zyrës Qëndrore Kombëtare Interpol, drejtor i Policisë Rrugore, drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, drejtor i Hetimit Tatimor dhe Pastrimit të Parave, zv. Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore e drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës.