Vendosni fjalën kyçe....

“Po fitoi Harris do shkojmë drejt Luftës së Tretë Botërore” – Trump


Nëse Kamala Harris fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA, do shpërthejnë “luftëra të shumta, të mëdha” në Lindjen e Mesme dhe “ndoshta Lufta e Tretë Botërore”, ka pohuar ish-presidenti dhe kandidati republikan Donald Trump.

Ai e ka akuzuar vijimësisht zv.presidente Harris dhe presidentin Joe Biden se po e tërheqin SHBA-në drejt një konflikti global.

Duke folur përpara një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të premten, Trump tha se lufta mes Izraelit dhe Hamasit do përfundonte “shumë shpejt” nëse ai do kthehej në Shtëpinë e Bardhë.

“Nëse nuk zgjidhem do ketë luftëra të mëdha në Lindjen e Mesme,” vijoi ai.

“Dhe ndoshta një Luftë e Tretë Botërore. Ju jeni më afër saj tani se në çdo kohë që nga Lufta e Dytë Botërore. Nuk kemi qenë kurrë kaq afër sepse kemi njerëz të paaftë që drejtojnë vendin.”

Trump ka ngritur akuza të ngjashme ndaj Bidenit dhe Harrisit që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022. Ish-presidenti ka pohuar se lufta nuk do kishte filluar kurrë nëse ai do ishte në pushtet dhe premtoi se do i ulte Moskën dhe Kievin në tryezën e bisedimeve brenda 24 orësh nëse zgjidhet në nëntor.