Zëvendëskryeministri i Sllovakisë, Tomas Taraba, ka njoftuar se nuk do e përfaqësojë vendin e tij në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike të Parisit.
Taraba ishte ndër të shumë personalitetet që e kritikoi ceremoninë e hapjes së Olimpiadës si mungesë respekti për të krishterët.
“Unë duhej të përfaqësoja Sllovakinë në ceremoninë e mbylljes, por për botën normale, kjo Olimpiadë do mbetet përgjithmonë një simbol i dekadencës dhe degjenerimit, e cila abuzoi me bukurinë e sportit dhe e ktheu atë në teatër politik progresiv”, shkroi zyrtari sllovak në faqen personale në Facebook.
“Prandaj, vendosa të mos marr pjesë në ceremoninë e mbylljes”.
Taraba gjithashtu theksoi se ceremonia e hapjes “e turpshme” tani po hiqet nga interneti nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
“Fyerjet ndaj krishterimit dhe dekadenca e paraqitur kanë arritur një nivel të tillë që kanë ofenduar të gjithë botën normale, e cila e kupton dallimin mes kulturës dhe plehrave”, shkroi ai në X.
Taraba ka shërbyer si zëvendës i kryeministrit Robert Fico. Ai ka marrë përsipër disa nga përgjegjësitë e tij pasi Fico u qëllua disa herë nga një atentator në mes të majit. Fico tashmë është shëruar dhe është kthyer në detyrë, por Taraba ishte deleguar të udhëtonte në Paris në vend të tij.
Të krishterët nga e gjithë bota kanë protestuar ndaj vendimit të organizatorëve të Parisit për të përfunduar ceremonitë e hapjes së Olimpiadës me një tablo nga “Darka e Fundit” e Leonardo da Vinçit të luajtur nga homoseksualët dhe transeksualët.