Vendosni fjalën kyçe....

Transporti në tremujorin e dytë, 29 mijë automjete të reja, rriten 65% pasagjerët nga ajri


Statistikat e transportit, të publikuara nga INSTAT për tremujorin e dytë të 2024-s tregojnë një rritje të ndjeshme të udhëtimeve të pasagjerëve nga ajri, e ndikuar nga turizmi.

Një tjetër dukuri është shtimi i automjeteve të reja të blera në këtë periudhë.

Në rritje ka qenë dhe volumi i përpunimit të mallrave në Portin e Durrësit.

Pasagjerët nga ajri rriten me 65%

Në transportin ajror operojnë 25 shoqëri ajrore, nga këto 24 janë shoqëri të huaja dhe 1 shoqëri shqiptare. Gjatë tremujorit të dytë 2024, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 102.916 avionë, nga të cilët 81,9 % të tyre e zë numri i mbikalimeve.

Volumi i mallrave (duke përfshirë postën) të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 560,8 ton, nga të cilat 74,2 % janë mallra të hyrë dhe 25,8 % janë mallra të dalë. Krahasuar me tremujorin e dytë 2023, volumi i mallrave paraqitet me rritje 12,7 %.

Në tremujorin e dytë 2024, kanë udhëtuar me linja ajrore 2.879.158 pasagjerë nga 1.747.887 pasagjerë që kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u rritur me 64,7 %.

Volumi i mallrave të tregtuara (eksport dhe import) me ajër në tremujorin e dytë 2024 është 571 ton.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, ky tregues është rritur me 47,8 %. Volumi i mallrave të importuara me ajër në tremujorin e dytë 2024 zë 0,02 % ndaj volumit gjithsej të mallrave të importuara.

Hyjnë në qarkullim 29 mijë automjete të reja

Gjatë tremujorit të dytë 2024, janë regjistruar për herë të parë 29.092 mjete rrugore.

Në kategorinë e mjeteve rrugore sipas llojit të regjistruar për herë të parë, përqindjen më të madhe e zënë “Autoveturat” (82,3 %) dhe “Motor” zënë (8,7 %), referon INSTAT.

Numri më i lartë i mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë, është në qarkun e Tiranës, duke zënë 45,8 % ndaj mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend në tremujorin e dytë 2024.

Qarqet me numrin më të vogël të mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë, janë qarku Gjirokastër me 1,1 % dhe qarku Dibër me 1,6 %.

Marka “Volkswagen” është marka me qarkullim më të lartë në vend në kategorinë e mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë me 20,8 %, e ndjekur nga marka ““Mercedez Benz” me 15,4 %.

Në tremujorin e dytë 2024, numri gjithsej i mjeteve rrugore me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht” që qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë deri në Qershor 2024 rezulton 914.925 mjete.

Në tremujorin e dytë 2024, numri më i lartë i mjeteve rrugore është në qarkun e Tiranës, duke zënë 34,9 % të mjeteve rrugore gjithsej në vend, pasuar nga qarku i Durrësit me 13,5 % të mjeteve rrugore gjithsej.

Qarqet me numrin më të vogël të mjeteve rrugore janë qarku i Gjirokastrës me 2,2 % dhe qarku i Kukësit me 2,3 % të mjeteve rrugore gjithsej.

Marka “Mercedez Benz” është marka me qarkullim më të lartë në vend në kategorinë e mjeteve rrugore me 18,0 %, e ndjekur nga marka “Volkswagen” me 16,1 % dhe “Daimler Chrysler” 8,4 %.

Rritet volumi i mallrave të përpunuara në porte

Në Shqipëri operojnë katër porte detare të cilët shërbejnë për transport mallrash: Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë).

Porti i Durrësit është porti kryesor në vend prej të cilit, gjatë tremujorit të dytë 2024, janë transportuar 94,9 % e volumit të mallrave të transportuar me det, ose 2.034 mijë ton mallra. Volumi gjithsej i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit është rritur me 26,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet në vend rezulton 251 anije, nga këto 218 anije janë të huaja dhe 33 anije vendase. Numri i anijeve të hyra dhe të dala në porte është rritur me 79,3 %, ku numri anijeve të huaja është rritur me 2 herë, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.

Portet detare ku kryhet transporti pasagjerëve në vend janë: Porti i Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe porti i Shëngjinit. Lëvizja e pasagjerëve në tremujorin e dytë 2024 është kryer nga porti i Durrësit, Vlorës dhe porti i Sarandës.

Në tremujorin e dytë 2024, volumi i mallrave të tregtuara me det (eksport dhe import) është 1.546,3 mijë ton. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, ky tregues është rritur me 16,1 %.

Volumi i mallrave të eksportuara me det në tremujorin e dytë 2024 zë 40,6 % ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të eksportuara.

Volumi i mallrave të importuara me det në tremujorin e dytë 2024 zë 64,9 % ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të importuara.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor