Është përmirësuar gjendja për sa u përket zjarreve në Shëngjin.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, pas një beteje të gjatë me flakët nga qindra forca zjarrfikëse si dhe ndihmës nga dy avionë të ardhur nga Italia ka mundur të vihet nën kontroll duke mos përbërë më rrezik për banesat dhe bizneset në zonë.
Po kështu është përmirësuar edhe gjendja për sa i përket zjarrit në Kaninë të Vlorës dhe fshatin Nikël të Krujës.
“Situata e krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, por veçanërisht në Shëngjin ka shënuar përmirësim në orët e mbrëmjes, pas punës së pandërprerë të qindra forcave operacionale në terren si dhe ndërhyrjes së dy avionëve #Canadair të ardhur nga Italia, pjesë e mbështetjes nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile. Mirënjohje palës italiane për ndihmën si dhe palës suedeze për shprehjen e gatishmërisë. Sipas raportimeve të fundit është shmangur fatmirësisht rreziku për banesat dhe bizneset.
Në orët e para të mëngjesit të nesërm do të fillojë sërish ndërhyrja nga ajri me mbështetjen e palës italiane dhe nga toka e qindra forcave operacionale. Është bërë e mundur shuarja e flakëve në vatrën e zjarrit në Kaninë, bashkia Vlorë, ku zjarri përfshiu një sipërfaqe me ullinj si dhe në Nikël, ku u raportua një tjetër vatër zjarri, gatë ditës së sotme. Mirënjohje të gjithë efektivëve të forcave zjarrfikëse, të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Pyjor, Zonave të Mbrojtura e vullnetarëve për angazhimin në këtë betejë me flakët.” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.