Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako ka folur për situatën e zjarrit në Shëngjin.
Çako në një prononcim për mediat, tha se dy avionët italianë Canadair kanë qenë një ndihmë shumë e madhe për shuarjen e flakëve.
Sipas tij, zjarri është shuar dhe tashmë është ndërprerë ndërhyrja me helikopterë. Aktualisht ka grupe në terren që po vazhdojnë me mbikëqyrjen dhe kontrollin e zonës.
Çako tha se do të bëhet një analizë e dëmeve në biznese dhe sipërfaqes së djegur.
Haki Çako: Vënia në lëvizje e dy avionëve italianë Canadair kanë qenë suport i jashtëzakonshëm. Gjej momentin për të falënderuar heronjtë e kësaj historie, zjarrfikësit strukturat operacionale të nivelit vendor dhe mbi 300 forca të FA, pa diskutuar prej gati 3 ditësh përfshirja pa shkëputje e gjithë stacioneve të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit të shumë bashkive. Shpresoj që situata të tilla mos të na sprovojnë, është diçka e rëndësishme që të kuptojmë se fatkeqësitë natyrore janë përgjegjësi e të gjithë qytetarëve dhe strukturave shtetërore. Jemi në gatishmëri dhe operojmë edhe në vende të tjera ku kemi prezentë zjarre.
Është djegur sipërfaqe e konsiderueshme pylli dhe kjo është një fazë tjetër që do vijë pas kësaj. Vlerësimi i dëmeve në pyje dhe objekte në një fazë tjetër. Janë duke u tërhequr tashmë se s’kemi më vatra zjarri, ka përfunduar operacioni dhe me helikopterë. Po vazhdojmë me mbikëqyrjen dhe kontrollin e zonës.
Helikopteri i FA ka qenë në operacion gjatë gjithë kohës. Zjarre ka pasur në gjithë vendin, helikopteri ka qenë në operacion ën disa vende. Prandaj u bë kërkesa për ndihmë nga mekanizmi i mbrojtjes civile europiane.
A ka pasur ndërhyrje me vonesë?
“Pjesë e analizës do të jetë gjithçka e operacionit, po bashkëpunojmë me autoritet lokale.”
Pse nuk u përdorën të dy helikopterët e FA?
“Analiza bëhet pas këtij operacioni, helikopterët janë në proces, po operojnë në Tepelenë. Nuk ka helikopter për çdo fshat. Banorët të sinjalizojnë në kohë.
Të gjitha mjete janë të nevojshme, jemi në kulmin e verës. Vendetë tjera janë duke u djegur, ka pasur edhe humbje jetësh të njerëzve. Ajo që vlen të theksohet është që energjia e burimeve njerëzore dhe përfshirja e gjithë shoqërisë është një domosdoshmëri.”