Vendosni fjalën kyçe....

Ekzistenca e Izraelit në rrezik nëse fitojnë demokratët – Trump


Donald Trump u ka kërkuar hebrenjve amerikanë që të votojnë për të në zgjedhjet e nëntorit, duke paralajmëruar se nëse nuk e bëjnë këtë, Izraeli mund të shkatërrohet nga armiqtë e tij.

Ish-presidenti amerikan dhe kandidati republikan për zgjedhjet e vitit 2024 po fliste në një mbledhje fondesh të dielën në një zonë të Nju Xhersit me një popullsi të konsiderueshme hebreje.

Ai pretendoi se demokratët e urrejnë Izraelin dhe “në masë të madhe e urrejnë” popullin hebre.

“Ne duhet t’i fitojmë këto zgjedhje. Ne kemi nevojë që populli hebre të votojë për mua. Nëse nuk keni hebrenj që votojnë për republikanët nuk do e keni Izraelin edhe për shumë kohë”, tha Trump.

Kandidati presidencial u zotua gjithashtu të ndihmojë Izraelin të fitojë luftën kundër Hamasit nëse zgjidhet. Trump përsëriti pretendimin e tij se sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor, i cili shkaktoi luftën në Gaza, nuk do kishte ndodhur nëse ai do ishte ende në detyrë.

Sipas sondazheve të Qendrës Kërkimore Pew, një institut me bazë në Uashington, shumica e hebrenjve amerikanë kanë votuar vijimësisht për Partinë Demokratike.

Megjithatë, Zëri i Amerikës i financuar nga shteti vuri në dukje në maj se një numër në rritje i kanë mbështetur republikanët në zgjedhjet e fundit.

The Pittsburg Jewish Chronicle citoi një anketë të votuesve të Nju Jorkut në shkurt, duke treguar se 53% e votuesve hebrenj synonin të votonin për Donald Trump-in në nëntor.

Marrëdhëniet midis administratës Biden dhe qeverisë izraelite janë përkeqësuar muajt e fundit në mes të ofensivës së shtetit hebre në Gaza.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka paralajmëruar udhëheqjen izraelite kundër një sulmi të gjithanshëm në qytetin me popullsi të dendur Rafah dhe tha se do ishte një “vijë e kuqe”, deklaroi ai.