Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria miraton rritjen e pagave për pushtetin vendor, Mazniku: Riklasifikuam nivelet e pagave, duke ndryshuar skemën


Qeveria ka miratuar sot një vendim të rëndësishëm për rritjen dhe unifikimin e pagave për punonjësit e pushtetit vendor. Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, njoftoi se pagat do të unifikohen në të gjitha bashkitë, duke siguruar se specialistë si juristë dhe arkitektë do të marrin të njëjtën pagë pavarësisht madhësisë së bashkisë ku punojnë.

Mazniku theksoi se ky vendim ka si qëllim standardizimin e pagave dhe vjetërsisë së punës për punonjësit e bashkive, duke e bërë procesin të njëjtë si në administratën shtetërore. Reforma e miratuar përfshin ndryshimin e skemës së pagave, duke kaluar nga një sistem me pesë grupime në një sistem të unifikuar për të gjitha bashkitë. Kjo do të ndihmojë në rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve për punonjësit në të gjithë vendin.

“Sot konkluduam një proces të rëndësishëm, i cili nisi që vitin që shkoi që ka të bëjë me pagat e pushtetit vendor. Është një reformë që merret me ristrukturimin e bashkive dhe stafeve të tyre në tre grupime të mëdhaja. E para një grupim që merret me planifikimin dhe monitorimin e politikave, një grupim që merret me funksionet që bashkia i kryen vetë dhe një grupim që bën ato funksione që bashkitë zgjedhin ti bëjnë vetë apo ti kontraktojnë.

Riklasifikuam nivelet e pagave, duke ndryshuar skemën. Nga një skemë e cila i ndante bashkitë në 5 grupime dhe në varësi të madhësisë së bashkive kishte edhe nivele të ndryshme pagash, në nivele pagash të unifikuar të të gjitha bashkive, pavarësisht madhësisë, duke dhënë mundësinë që një jurist, një arkitekt, ekonomistë etj merr një pagë të ngjashme në të gjitha bashkitë.

Elementi tjetër është rritja e pagave të të gjitha bashkive dhe rritja e minimume dhe maksimumeve të reja për të gjitha bashkitë në nivele të unifikuara”, u shpreh ministri.