Vendosni fjalën kyçe....

Sërish protestë në aksin Thumanë-Kashar, përplasje mes protestuesve dhe policisë


Banorët e zonës përreth aksit Thumanë-Kashar protestuan sërish pasditen e së premtes, duke kërkuar akses në autostradën e re.

Gjatë protestës ka pasur përplasje me policinë pasi protestuesit tentuan të bllokojnë qarkullimin në autostradë e më pas janë ulur në mes të rrugës duke e bllokuar atë në të dyja drejtimet.

Një prej banorëve dëgjohet të bërtasë “Duam rrugë. Ali Baba me 15 hajdutë, as rrugë nuk jep”.. Më shumë se disa qindra banorë dhe forca të shumta policore, përfshirë reparte speciale, ishin të pranishëm.

Banorët kërkojnë nga institucionet krijimin e një aksesin të drejtë në autostradë, pasi rruga e vjetër është bërë e pakalueshme.

Edhe në protestat e shkuara ka pasur përplasje mes banorëve dhe policisë, pasi këta të fundit nuk i kanë lejuar protestuesit të bllokojnë qarkullimin e mjeteve në rrugë.

Kujtojmë se kjo është protesta e tretë pas ndërtimit të autostradës, ndërkohë që banorët që u prekën nga ky projekt kanë protestuar me muaj të tërë kundër ndërtimit të saj dhe kanë shprehur se nuk janë shpronësuar në mënyrë të drejtë.