Vendosni fjalën kyçe....

Qytetarëve të huaj në Liban u kërkohet të largohen sa më shpejt për shkak të tensioneve rajonale


Disa vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Libani, pasi tensionet e rritura në rajon kanë ndezur frikën e një konflikti në Lindjen e Mesme.

Paralajmërimet vijnë pasi SHBA-ja tha se po dërgonte anije luftarake shtesë në rajon dhe pasi ambasada e Uashingtonit në Liban u bëri thirrje qytetarëve që të rezervojnë “çdo biletë në dispozicion të tyre”. Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lammy tha se mesazhi i tij për qytetarët britanikë ishte, “largohuni tani”.

Rajoni është në gatishmëri të lartë pasi Irani u zotua për hakmarrje ndaj Izraelit, të cilin e fajëson për vrasjen e liderit politik të Hamasit Ismail Haniyeh në kryeqytetin Teheran në fillim të kësaj jave.

Agjencia shtetërore e lajmeve iraniane (IRNA) raportoi se Ministri i Jashtëm i Jordanisë po bënte një vizitë në kryeqytetin iranian Teheran të dielën, për të shkëmbyer pikëpamjet me zyrtarët iranianë.

Zhvillimet kanë ngritur shqetësime se lufta e Izraelit në Gaza, mund të përhapet në një konflikt të plotë të Lindjes së Mesme.

Mendohet se Hezbollahu me bazë në Liban mund të luajë një rol të rëndësishëm në çdo hakmarrje të tillë. Grupi militant ka qenë i përfshirë në shkëmbime të përditshme zjarri me Izraelin; gjatë natës të së shtunës, Hezbollahu gjuajti 30 predha, shumica e të cilave u kapën nga Izraeli./CNN