Vendosni fjalën kyçe....

Infrastruktura numëron 75 mln euro detyrime të reja në janar-prill nga rrugët tek ujësjellësit, kërkon fonde shtesë


Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë raportoi se në 4-mujorin e parë të këtij viti, detyrimet e prapambetura arritën në 7,5 miliardë lekë rreth 75 milionë euro, shumë e cila është krijuar kryesisht nga faturat e pashlyera të investimeve në rrugë, furnizimi me ujë dhe nga vendosja e sekuestrove për mosshlyerjen e detyrimeve gjyqësore të formës së prerë.

Vlera e detyrimeve të prapambetura që Ministria e Infrastrukturës raportoi në janar-prill 2024 është sa 20 % e vlerës së investimeve kapitale të brendshme që ka në dispozicion kjo Ministri.

Sipas të dhënave zyrtare vlera e më e madhe e detyrimeve me vlerë rreth 2,32 miliardë lekë ose 23 milionë euro i përket detyrimeve të prapambetura në sektorin e transportit rrugor.

Financimet buxhetore nga fondet e brendshme për sektorin e transportit rrugor ketë vit janë rreth 24 miliardë lekë, teksa detyrimet në këtë zë zënë 20% të kësaj vlerë

Zëri i dytë me vlerën më të madhe të detyrimeve ka ardhur nga sekuestrot koncervative. Një shumë prej 1.8 miliardë lekësh është akumuluar vetëm në katërmujorin e parë të këtij viti si rrjedhojë e zbatimit me forcë nga përmbarimi i vendimeve të gjykatave. Shumica e vendimeve vijnë nga individë që kanë punuar në entet apo ndërmarrjet që administrohen nga dikasteri i infrastrukturës.

Ndërmarrjet e ujësjellësit vijojnë të jenë një gjenerator i keqadministrimit. Në janar-prill, ndërmarrjet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve kishin fatura ta pashlyera në vlerën e 1,2 miliardë lekëve ose rreth 12 milionë euro. Ndërmarrjet e ujësjellësit i kanë dorëzuar faturat e reja të detyrimeve në 4 mujorin e parë.

Një reformë e re në sektorin e ujësjellësve që reduktoi numrin e ndërmarrjeve në disa njësi rajonale duket se ka përkeqësuar situatën e detyrimeve në kurriz të buxhetit, duke rritur më tej barrën ndaj taksapaguesve që tashmë paguajnë tarifat të larta për furnizimin me ujë.

Ministria e infrastrukturës përllogarit se detyrimet e prapambetura prej 7,6 miliardë lekësh janë fatura që janë regjistruar rishtas këtë katër-mujor, duke i kërkuar Ministrisë së Financave që të miratojë fonde shtesë për shlyerjen e tyre.

Në fund të dhjetorit 2023 Ministria e Financave shleu gati gjysmën e detyrimeve të prapambetura që ishin akumuluar gjatë vitit të kaluar, por ndërkohë detyrime të reja po akumulohen me shpejtësi dhe për tepër jo të gjitha regjistrohen në kohë në thesar.

Ministria e Financave raportoi se në fund të majit 2024 stoku i detyrimeve të prapambetura nga të gjitha entet publike ishte 11.5 miliardë lekë ose 3,6 miliardë lekë më i lartë se në fund të dhjetorit, por ndërkohë vetëm Ministra e infrastrukturës raporton se në katër muajt e parë të vitit 2024 përllogarit 7,6 miliardë lekë detyrime të reja.

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor