Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllja e zyrave postare serbe të jashtëligjshme në veri të Kosovës, BE e SHBA reagojnë kundër aksionit


Autoritetet e Kosovës kanë ndërmorën një aksion për mbylljen e zyrave postare serbe në veri të Kosovës.

Veprimi nuk është pritur mirë nga Ambasada e SHBA-ve dhe delegacioni i BE-së në Prishtinë.

Ambasada e SHBA-ve u shpreh e zhgënjyer duke e quajtur veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar të autoriteteve të Kosovës.

Sipas deklaratës veprime të tilla vënë në rrezik ushtarët e KFOR-it në Kosovë dhe minojnë reputacionin e Kosovës.

“Qeveria e SHBA është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër degëve të postave serbe në veri të Kosovës.

Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”-thuhet në reagim.

Ndërsa Bashkimi Evropian e ka quajtur aksionin si shkelje e marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian e konsideron mbylljen e sotme të nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet e Kosovës një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar, i cili shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Si pjesë e Marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionet e arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord në 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare “në një fazë të mëvonshme.

BE-ja është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut. BE pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje.

Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti.

I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Ditën e sotme tri objekte janë mbyllur në Mitrovicën Veriore, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok, bëri me dije zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Mbyllja e objekteve sipas Elashanit nisi si në vijim, “pas një shkrese/informate  të pranuar nga ARKEP, se në territorin e Kosovës operojnë operatorë ekonomik pa licencë dhe të paregjistruar në ARBK, njësi policore kanë shkuar për verifikim të këtij informacioni. Informacioni ka rezultuat te jetë i saktë me çrast policia ka njoftuar prokurorin e shteti”.

Pas verifikimit të gjendjes faktike në këto objekte kemi ardhë në përfundim se nuk kanë licenca dhe nuk janë të regjistruara prandaj në konsultim me Prokurorin edhe janë mbyllë për hetim të mëtejmë nga Drejtoria kundër Krimeve Ekonomike”, tha Elshani për Express-in.