Vendosni fjalën kyçe....

Kundër hapjes së urës së Ibrit, serbët në protestë


Në Mitrovicën e Veriut, pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, ka filluar protesta e pjesëtarëve të komunitetit serb të cilët po kundërshtojnë hapjen e saj për trafik.

Në protestë, ish-gjyqtari nga Mitrovica e Veriut, Nikolla Kabashiq, tha se duhet të arrihet konsensus mes të gjithë përfaqësuesve të serbëve në Kosovë për të identifikuar dhe mbrojtur interesat themelore të komunitetit serb.

“Mjerimi është problemi ynë kolektiv. Ne jemi të sulmuar si popull, ne jemi nën agresion që të largohemi nga Kosova”, tha Kabashiq.

Si forma të presionit, pjesëtarët e komunitetit serb shohin përpjekjet e Qeverisë së Albin Kurtit për të vendosur autoritetin në veri të Kosovës, si dhe praninë e pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Kabashiq theksoi se nuk po protestohet kundër popullit shqiptar, por kundër Qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe. Në periudhën pasluftës, kjo urë ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’u kundërshtuar përpjekjeve të Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për trafik.