Vendosni fjalën kyçe....

Grupi i PD kërkon thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm: Shkelët Kushtetutën


Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kthyer përgjigje zyrtare në lidhje me kërkesën e Kryetares së Kuvendit për një seancë të jashtëzakonshme për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës. Në letrën e firmosur nga Kryetari i Grupit Gazment Bardhi, nënvizohet se mbledhja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm është e detyrueshme sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, e cila kërkon që ky sesion të thirret brenda 3 ditësh nga paraqitja e kërkesës.

Sipas përgjigjes së PD-së, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka shkelur këto afate duke caktuar mbledhjen e organeve të Kuvendit përtej afatit të përcaktuar dhe duke mos caktuar një seancë plenare, siç kërkohet nga Rregullorja. Grupi Parlamentar i PD e konsideron këtë veprim si një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe parimeve të shtetit ligjor.

Grupi kërkon që Kryetarja Spiropali të zbatojë Kushtetutën dhe të thërrasë sesionin e jashtëzakonshëm brenda afatit ligjor, duke përmbushur kështu detyrimet kushtetuese dhe rregullatore.

“Rezulton se ju keni thirrur në fakt një sesion të jashtëzakonshëm të Kuvendit, duke urdhëruar “mbledhjen jashtë sesionit të Këshillit të Legjislacionit”, por në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, së pari, e keni caktuar mbledhjen e organeve të Kuvendit përtej afatit “3 ditor” që përcakton qartësisht Rregullorja; dhe së dyti, nuk keni caktuar mbledhje të seancës plenare.

Si rregull, mbledhja e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm, pra në një seancë plenare të jashtëzakonshme, paraprihet edhe nga mbledhja e organeve të tjera të Kuvendit, pra të komisioneve apo këshillave parlamentar.

Për këtë arsye, pika 2 e nenit 42 të Rregullores së Kuvendit, ka vendosur dy detyrime për Kryetarin e Kuvendit, për thirrjen e një sesioni të jashtëzakonshëm (1) Thirrjen e mbledhjes së Kuvendit jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës; (2) Caktimi i një rendi të mbledhjeve të komisioneve dhe të seancës plenare brenda këtij afati.

Qëndrimi juaj se një dispozitë e Rregullores së Kuvendit (konkretisht neni 87 i Rregullores), bën të pamundur zbatimin e një dispozite të Kushtetutës (konkretisht nenit 74, pika 3 të Kushtetutës) apo edhe dispozitat e tjera të Rregullores së Kuvendit (konkretisht nenit 42, pika i Rregullores), cenon rëndë parimet e shtetit ligjor, parimin e hierarkisë së akteve normative dhe parimin e supremacisë së Kushtetutës, sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës, ku parashikohet se “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Pra, nëse do të kishte kontraditë mes dispozitave të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, prevalojnë dispozitat e Kushtetutës dhe ato duhet të zbatohen drejtpërsëdrejti.

Në harmoni me nenin 74 të Kushtetutës dhe nenet 42 dhe 87 të Rregullores së Kuvendit, ju kishit detyrimin kushtetues që të caktonit një rend dite për mbledhjen Këshillit të Legjislacionit dhe të seancës plenare, brenda afatit të posaçëm të caktuar nga rregullorja e Kuvendit “jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës” – thotë në përgjigje kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi.